5 orë negociata, RENEA ekzekuton 71-vjeçarin në Elbasan: Do ju hedh në erë

0 343

Një ngjarje në kufijtë e absurditetit u regjistrua mesditën e së enjtes në qytetin e Elbasanit, ku 71-vjeçari Lefter Zhidru qëlloi me armë në drejtim të policisë. Si nisi ngjarja që përfundoi me vrasjen e 71-vjeçarit nga RENEA? Ishte pikërisht një telefonatë nga ish-gruaja e Lefter Zhidru tek Komisariati i Policisë së Elbasanit për ushtrim dhune nga 71-vjeçari. Ish-gruaja ka thënë se viktima pretendonte se ajo e tradhtonte, edhe pse ishin të ndarë ata jetonin në një banesë. Fillimisht ajo ka shfaqur gjendje të rënduar por më pas ka pohuar se ish-bashkëshorti pretendonte se e tradhtonte dhe dyshohet se për këtë ka nisur edhe konfikti mes tyre.

Në momentin e mbërritjes së Policisë, Zhidru kishte nisur të qëllonte në drejtim të efektivëve me kallashnikov. Autoritetet thanë sesi pasojë e të shtënave ishin plagosur, por jashtë rrezikut për jetën, dy kalimtarë të moshës 21 dhe 22 vjeç. Pas mbërritjes së Forcave RENEA dhe rrethimin e banesës, u bë e mundur largimi i ish-bashkëshortes së 71-vjeçarit. Më pas përmes një operacioni të koordinuar, forcat speciale kanë hedhur tymuese në drejtim të banesës për t’u futur brenda saj, por me sa duket situata është përshkallëzuar edhe më tej dhe Zhidru është qëlluar, pasi ai nuk ka pranuar të dorëzohet as në fund, duke qëlluar disa herë me breshëri automatiku edhe në brendësi të banesës së tij.

Negociatorët e Policisë kanë thërritur pranë banesës edhe familjarë të tjerë të 71-vjeçarit, por ka qenë e kotë pasi ai nuk ka pranuar as të bisedojë me ta. Fillimisht ka qenë vajza e tij nga martesa e parë që është përpjekur të qetësojë babain e saj por pa ia dalë. Në Elbasan për të ndjekur operacionin ishte i pranishëm edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Edhe pse bëhej fjalë për vetëm një person dhe për më tepër të moshuar, operacioni në terren ka qenë mjaft i vështirë për Forcat RENEA, pasi 71-vjeçari dilte herë pas here në ballkonin e banesës së tij dhe qëllonte në drejtim të tyre.

Hyrja në banesë ka qenë e vështirë e në një moment është marrë në konsideratë edhe sjellja e një makine zjarrfikëse për t’u futur nëpërmjet ballkonit, por më pas u vendos për ndërhyrje frontale. Viktima është proceduar penalisht edhe gjatë muajve të pandemisë pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish-gruas. Banorët e zonës shprehen se 71-vjeçari ka qenë njeri problematik dhe se ka ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Pas shumë orësh pritje, Policia vendosi që të ndërhynte kur ora shënonte 18:00, duke hyrë në banesën e tij dhe duke e vrarë në vend. Por pse pritën deri në orën 18:00? I moshuari nga Elbasani u vra vetëm pak momente pasi në vend ra muzgu. Kjo pasi me të rënë nata, efektivët e Policisë nuk do të kishin më fushëpamje për të ndjekur me kujdes veprimet e tij dhe i druheshin edhe një sulmi tjetër nga ballkoni i banesës. I moshuari kishte në banesën armën kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Gjatë ndërhyrjes së forcave RENEA, 71-vjeçari i ka kërcënuar se do t’i hidhte në erë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.