-Për të zhvilluar referendum duhen 50 mijë firma, por zyra e shtypit e presidentit thotë se do mblidhen mbi 1 milionë firma që Kushtetuta të votohet nga populli, ndaj do fillojë në çdo qytet marrja e firmave me kartë ID. Të majtë e të djathtë, të paparti apo kush dëshiron demokraci do t’i kërkohet për Republikën.
Kriza e gjithanshme që ka përfshirë vendin po asgjëson institucionet dhe ka vënë në pikëpyetje parimet bazë të Republikës dhe një sistemi demokratik. Për këtë shmangur këtë situatë dramatike, Presidenti Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat deklaroi mbrëmë se përmes një referendumi do të kërkoj nga shqiptarët mbrojtjen e Republikës. Duke vënë në dukje faktin se kriza është thelluar pas shkeljeve Kushtetuese, kreu i shtetit shtoi se Shqipëria nuk mund të drejtohet me rezoluta politike, si ato që ka miratuar së fundi PS, por vetëm me Kushtetutë.
“Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre! Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve! Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë shpresëhumbur! Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themelore të Popullit Shqiptar! Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën”,- deklaroi dje kreu i shtetit.
Në kohën kur sistemi i zgjedhjeve ka rënë, kur pushtetet kanë kaluar të gjithë në duart e qeverisë “Rama”, presidenti shprehet se vetëm vota me referendum e qytetarëve mund të zgjidhë krizën e pashembullt në të cilën ndodhet. Aktualisht ndryshimet ligjore që PS i ka bërë Kushtetutës, në bashkëpunim dhe me PD, nuk janë shumë favorizuese, por kreu i shtetit do të kërkojë mbledhjen e firmave nga qytetarët për të realizuar projektin e referendumit. Kreu i shtetit deklaroi se shqiptarët do të vlerësojnë nëse pranojnë diktaturën, apo do të mbrojnë demokracinë. “Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë”,- tha kreu i shtetit.
Presidenti Meta duke renditur gjithë problematikat që ka sjellë pushteti i sotëm, me cenimin e institucioneve, kapjen e reformës në drejtësi, korrupsionin, abuzimet dhe grabitjen e pushtetit deklaroi se tashmë është koha që qytetarët t’i thonë ndalë rrënimit të mëtejshëm të shtetit. “Ndaj është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë! Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure! Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.
Deklaratat e forta të kreut të shtetit për Kushtetutën u bënë dje në 21-vjetorin e miratimit të ligjit themeltar të shtetit. Fatkeqësisht dokumenti i miratuar në vitin 1998 nga një projekt kombëtar që garantonte ndarjen e pushteteve dhe demokracinë në vend, është ndryshuar dy herë me marrëveshje jo transparente. Ndryshimet e vitit 2008 dhe 2016 në Kushtetutë kanë sjellë krijimin e situatave të krizës në të cilën ndodhemi sot, pa parlament, pa gjykata, pa zgjedhje të lira dhe po e çojnë Shqipërinë drejt një modeli autoritarist. Për këtë qëllim, thirrja e kreut të shtetit është një apel ndaj çdo shqiptari që kërkon që Shqipëria të mos kthehet në situatën e parave viteve ’90.
Mili Xhani
Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.