Kur krimi dhe mafia bëjnë ligjin në mazhorancë

537

Mazhoranca sot ka uzurpuar gjithçka: parlamentin, qeverinë, drejtësinë, median, grupet kriminale që përleshen mes tyre sipas sloganit të kryeministrit “hangshin kokën e njëri-tjetrit”, bashkëpunon dhe punon për llogari të oligarkëve që do të marrin vitin e ardhshëm 120 milionë euro nga buxheti i shtetit. Por më e rrezikshme mbetet se grupet kriminale nuk po hezitojnë të qëllojnë edhe në mes të ditës.

Policia njoftoi dje arrestimin e Redjan Rrajës, i dyshuar si një nga autorët e atentatit me armë zjarri më 1 nëntor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, shoferit të tij Andi Maloku dhe bashkudhëtarit tjetër në makinë, Pëllumb Muharremi, ky i fundit i njohur për rekordet kriminale. Redjan Rraja është një emër jo i panjohur për policinë dhe opinionin publik. 34-vjeçari nga Fushë-Kruja u dënua me 8 muaj për fshehje të pronave në një vrasje të bujshme në Tiranë, si dhe u denoncua për kërcënime ndaj një punonjësi të policisë në rastin “Xhisiela”. 34-vjeçari njihet si i afërm i deputetit të PS-së Rrahman Rraja edhe pse përfaqësuesi i PS-së deklaroi dje se është kushëri i largët dhe me atë nuk ka pasur asnjë kontakt.

Policia nuk ka dhënë detaje se cilat janë provat që e lidhin të afërmin e deputetit me atentatin ndaj prokurorit dhe derisa gjykata të vlerësojë hetimet, Rraja është thjesht i dyshuar. Por pavarësisht emrave, atentati ndaj prokurorit të Durrësit dhe detajet që po dalin në publik këto ditë janë një skaner që tregon molepsjen dhe degradimin e gjithë institucioneve. Asnjë ngjarje tjetër, sa kjo e Durrësit, nuk tregon në mënyrë kaq të qartë përzierjen e politikës, drejtësisë dhe krimit në të njëjtat pazare. Në asnjë ngjarje tjetër nuk sheh prokurorin, zyrtarin më të lartë të shtetit në luftën kundër krimit, të shoqërohet dhe të udhëtojë në një makinë me një nga emrat më të lakuar për paligjshmëri në Durrës. Po ashtu, në ngjarjen e Durrësit në kontaktet mes drejtësisë dhe personave me precedentë penalë sheh dhe lidhjet me politikën.

Por historia e prokurorit të Durrësit nisi disa javë më parë, kur kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe morën përsipër të bëjnë vetë hetuesin, edhe gjykatësin, teksa sulmuan për ditë të tëra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoji. Sulmet u bënë sepse prokurori kërkoi arrestimin e drejtorit të kadastrës së Durrësit. Sipas Ramës dhe Braçes, prokurori bashkëpunonte me bandat dhe po përdorej nga krimi për të vjedhur pronat publike në bregdetin e Durrësit. Fakti që Arjan Ndoji u plagos në makinë me një person me precedentë penalë duket se i jep të drejtë Edi Ramës për akuzat që bëri. Moralisht prokurori i Durrësit është i kompromentuar, por për një kryeministër është e pafalshme që të bëjë denoncime sikur të ishte qytetar i zakonshëm dhe të mos vendosë në lëvizje institucionet.

Informacionet që kishte për prokurorin, nëpërmjet rrugëve zyrtare, mund t’i kishte kaluar te prokuroria dhe të kërkonte marrjen e masave ndaj prokurorit të Durrësit. Denoncimi vetëm me deklarata dhe kërcënimi publik ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, më shumë ngjante si shantazh qeveritar ndaj një punonjësi të shtetit. Sikur kryeministri dhe zëvendësi i tij të kishin bërë denoncime zyrtare për akuzat që ngritën, qoftë edhe të “Platforma e Bashkëqeverisjes”, mbase atentati mund të ishte shmangur.

Në vend të kësaj, kryeministri zgjodhi të bëjë shantazh publik ndaj një zyrtari, i cili i pastër ose jo, është funksionar i Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë qeveria duket se dha indirekt dhe mesazh të gabuar te palët në konflikt me prokurorin, të cilët shfrytëzuan rastin dhe bënë atentatin. Sikur të mos mjaftonin lidhjet mes sistemit të drejtësisë dhe përfaqësuesve të botës së krimit, në skenë del dhe bashkëjetesa e politikës me të gjithë këta elementë. Përfshirja e dyshuar e një të afërmi të një eksponenti të PS në ngjarje fakton tashmë se krimi, politika dhe drejtësia janë një.
Mazhoranca sot ka uzurpuar gjithçka: parlamentin, qeverinë, drejtësinë, median, grupet kriminale që përleshen mes tyre sipas sloganit të kryeministrit “hangshin kokën e njëri-tjetrit”, bashkëpunon dhe punon për llogari të oligarkëve që do të marrin vitin e ardhshëm 120 milionë euro nga buxheti i shtetit. Por më e rrezikshme mbetet se grupet kriminale nuk po hezitojnë të qëllojnë edhe në mes të ditës.

Mili Xhani

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.