Kryeministri Rama fillon fushatën reale, ndërsa Basha kërkon “Shpresën”!

478

-Opozita duhet të përballet me kryeministrin mu në Tiranë, mu para kryeministrisë e jo në rrethe. Ta rrëzojë me çdo kusht, siç ka premtuar, këtë qeveri krimi. Ndryshe ka vend një parullë e fermerëve në Lushnjë, pak ditë më parë: “Bashkë me domatet, po na kalben edhe shpresat”.

Në krizën politike që ka kapur vendin, fjalët magjike për zgjidhjen e saj janë “zgjedhje të parakohshme”. Megjithatë nga qëndrimet që opozita po mban kanë krijuar paqartësi dhe konfuzion të mbështetësit e tyre, të cilët mezi presin të mblidhen edhe njëherë në Tiranë, pasi nuk ka njeri ti mbajë në zemërimin e tyre legjitim.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama thotë se zgjedhjet parlamentare nuk do të mbahen para verës së vitit 2021, por realisht prej javësh sillet sikur fushata elektorale do jetë nesër. Bile ka ngritur stafe me njerëz që po merren me krejt emrat në administratë e polici, duke iu kërkuar email, numrat e telefonave,betj. Po kështu oligarkët kanë thirrur shefat e vartës duke listuar punonjësit që marrin pagat te firmat e tyre për ti patur për vota për PS. Deputetët e PS dhe drejtuesit politikë janë në rrethe duke bërë gjoja sikur ka “zgjedhje në parti”, por po bëhen gati për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha çdo ditë betohet se zgjedhjet të parakohshme mund mbahen edhe javën që vjen, ndërkohë aksioni i PD-së në publik dhe strukturat e saj duket sikur presin vitin 2021. Këto zhvillime i pasqyrojnë më së miri qëndrimet e fundit publike. Asnjë miting  të madh drithërues për pushtetin nuk thërriti liderishipi opozitar, qoftë edhe për protestuar kundër kryeministrit që nuk mori negociatat. Nga ana tjetër brenda javësh kreu i PS dhe kryeministër njëkohësisht ka mbledhur kryesinë dhe strukturat e partisë. Temë kryesore nuk ishin as negociatat që dështuan me sukses dhe as kriza më e rëndë institucionale në vend, por riorganizimi i partisë, dhënia e detyrave për bazën, rishikimi i anëtarësisë së elektoratit dhe ndryshimi i drejtuesve në zonat ku shihen me probleme. E gjitha një lojë për të mbuluar përgatitjet dhe krijimin e një atmosfere fushate.

Në PS e dijnë të gjithë se po shkojnë në zgjedhje. Kryeministri frikë ka vetëm turmat që para pak muajsh Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ia sollën mu para zyrës së tij.E keni parë se si ikte Rama nëpër rrethe që vetëm të mos ishte në Tianë! E dini se rrinin dy helikopterë afër vilës së tij gati për ta larguar nëse protesta rrëzonte regjimin?

Por sot edhe pse PS-ja në qeverisje ka sherre të forta brenda asaj, pakënaqësira dhe denoncime korruptive për drejtorë abuzues, kupola e partisë mundohet t’i zbusë problemet dhe të ruajë ‘unitetin’ për garat e ardhshme zgjedhore. Nga ana tjetër, me gjithë problemet e rënda në qeverisje, Edi Rama gjen kohë që të zgjidhë dhe sherret mes deputetëve në Shkodër apo të joshë gjithë grupet e interesit që të mos krijojë përçarje në bashkitë e veriut. Ndërkohë deputetët i ka udhëzuar që më shumë të rrinë në zonat elektorale sesa të sillen vërdallë nëpër zyrat në Tiranë. I njëjti urdhër vlen dhe për ministrat, të cilët edhe pse të ngarkuar me “koncesione” dhe kontrata interesash që duhen firmosur, çdo javë janë në terren për propagandë qeverisëse dhe takime me socialistët. Gjithë këto tregojnë se Edi Rama, që pas votimeve një partiake të 30 qershorit, nuk e ka ndërprerë fushatën elektorale.

E të gjitha këto se ka kohë nga mos thirrja e lidershipit opozitar për protestë masive mu para kryeministrisë! I japin vetë kohë të rigjenerojë forcat, kryeministri ynë!

Në krizën ku e ka futur vendin, sondazhet dhe nuhatja politike duket se e ka bërë të kuptojnë se pushteti i madh që ka marrë mbi supe mund të vihet në provë shumë shpejt, duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë tjetër pamje të jep opozita dhe Partia Demokratike që prinë koalicionin e që synon marrjen e pushtetit. Pas vrullit të muajit shkurt, revolta u shua si me porosi më 30 qershor. Që pas asaj date gjithë reagimi qytetarë dhe opozitarë janë protestat banorëve të “Astir”, të rinjtë që bëjnë roje të Teatrit Kombëtar dhe ndonjë “shpërthim” opozitarizmi në rrjetet sociale. Të gjithë këto protesta janë të respektueshme, por janë shumë larg aksionit popullor e qytetar të një opozite që kërkon zgjedhje të parakohshme dhe një modeli të ri qeverisës për të shpëtuar vendin. Këto miniprotesta të ligjshme dhe të drejta janë shumë larg dhe revoltës që shumica e qytetarëve ka ndaj kësaj qeverie. Pas skandaleve të mëdha dhe votimeve të 30 qershorit, PD pritej të ndërmerrte hapa edhe më të fortë ndaj një qeverie që nuk ka lënë nen të Kushtetutës dhe ligj pa shkelur. Por në vend të kësaj, PD dhe strukturat e saj kanë zgjedhur strategjinë e pritjes.

Dje, PD mblodhi krerët e degëve në gjithë vendin dhe normalisht pritej që të niste një aksion i fortë kundër qeverisë që pas skandale korruptive, keqqeverisjes dhe dështimit spektakolar me negociatat. Por jo, në vend të aksionit mbarëkombëtar, Lulzim Basha zgjodhi takimet lokale nën moton “Turi kombëtar i shpresës”. Bëhet fjalë për takime lokale, në qytete të mëdha, të cilat edhe për shkak të kushteve të motit do të mbahen në salla të mbyllura. Këto janë takime të dobishme për një parti politike, por qytetarëve që presin më shumë nga opozita nuk u thotë asgjë. Sepse qytetarët presin nga opozita shumë më tepër sesa seminare politike dhe leksione në situatën kritike ku ndodhet vendi. Një parullë e fermerëve në Lushnje, pak ditë më parë, e përmblidhte më mirë se kushdo situatën pa krye ku është futur politika: “Bashkë me domatet, po na kalben edhe shpresat”.

Ndaj lidershipi opozitar të organizohet në Tiranë, këtu ku kryeministri ka frikë dhe ndjehet në ankth. Natyrisht që edhe “takimet e shpresës” duhen , por tani kur shpresa ka vdekur duhet revolucioni i zemrave të revoltuara.

Edi Rama tmerrohet kur shikon turmat e stërmëdha në Bulevardin kryesor e jo nga “takimet e shpresës”.

Mili Xhani

 

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.