Reagimet e vizitës 11 orëshe të Erdogan

0 171

Vizita e presidentit turk Erdogan dhe ministrave që e shoqëronin pati jo pak jehonë në rrjetet sociale në Shqipëri. Ndërsa normalisht vizita e një kreu shteti tjetër kalon pa shumë zhurmë në vend, qëndrimi 11 orësh i presidentit turk pati jo pak reagime.

Zyrtarisht Erdogan erdhi në vend për të përuruar 522 apartamente të ndërtuara në Laç nga qeveria turke për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntori 2019. Po dje ishte edhe 544 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Përkimi i dy datave çoi në reagime të shumta në rrjetet sociale, teksa një pjesë e madhe pohuan se ardhja e Erdogan më 17 janar ishte përzgjedhur për të provokuar e për të lënë në hije ditën e vdekjes së heroit kombëtar.

Teksa Erdogan pritej të mbërrinte në vend, presidenti Meta përkujtoi në faqen e tij në Facebook ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kreu i shtetit kishte përzgjedhur për të dhënë mesazhin një pjesë nga filmi ‘Skënderbeu’, ku heroi dhe ushtarët arbërorë mposhtin e ndjekin trupat osmane në fushën e betejës.

Në axhendën e takimeve të kreut të shtetit turk, nuk ishte parashikuar një takim me presidentin Meta. Lidhur me këtë çështje, presidenti deklaroi në mbrëmje se nuk kishte asnjë keqardhje që nuk u takua me Erdogan duke qenë se kishte pasur një ditë tejet të ngjeshur. Po kështu ai theksoi se Erdogan kishte qenë i ftuari i Ramës dhe ishte sjellë si i tillë.

Pas ceremonisë së përurimit të apartamenteve në Laç, Erdogan u takua në kryeministri me Ramën me të cilin mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp. Para largimit nga vendi, ai mbajti edhe një fjalë përshëndetëse në Kuvend para deputetëve, në seancën e parë plenare për këtë vit.

Në të dyja rastet, Erdogan shigjetoi organizatën FETO të Fethullah Gulen, i cili ndodhet në azil politik në SHBA. Ai i kërkoi me forcë kryeministrit Rama dhe institucioneve shqiptare që ta luftojnë organizatën në fjalë, të cilën Ankaraja e ka përcaktuar si terroriste dhe e konsideron përgjegjëse për Grushtin e Shtetit në korrik 2016 në Turqi. Deklaratat e tij kundër organizatës në fjalë patën jo pak jehonë mes politikanësh e qytetarësh në rrjetet sociale apo emisionet e mbrëmjes në mediat kryesore të vendit.

Para largimit, Erdogan përuroi rikonstruksionin në xhaminë e Et’hem Beut në qendër të kryeqytetit. Ajo që në ra në sy është se në këtë ceremoni të rëndësishme nuk kishte asnjë përfaqësues nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Ndërsa mungesa e kreut Bujar Spahiu mund të ishte justifikuar me ndonjë arsye çfarëdo, mosqenia e ndonjë përfaqësuesi të KMSH-së është diçka që ra në sy, duke qenë se KMSH është zyrtarisht institucioni që përfaqëson interesat dhe çështjet që kanë të bëjnë me besimin e myslimanëve në vend.

Në mbrëmje Erdogan e ata që e shoqëronin u larguan nga vendi, duke lënë pas disa marrëveshje të nënshkruara me qeverinë, disa ‘detyra’ për kryeministrin Rama e shumë reagime në rrjetet sociale e media.

Leave A Reply

Your email address will not be published.