Zyrtari i OBSH ngre alarmin: Na kanë mbaruar vaksinat e kolerës

0 163

Një zyrtar i OBSH ka ngritur alarimin duke thënë se stoku global i vaksinave të kolerës që Organizata Botërore e Shëndetësisë ndihmon në menaxhimin është “aktualisht bosh ose jashtëzakonisht i ulët”.

Sipas Reuters, agjencia shëndetësore e OKB-së thotë se normat globale të vdekshmërisë po rriten dhe ka rreth 30 vende në mbarë botën që kanë raportuar shpërthime të kolerës këtë vit, rreth një e treta më e lartë se në një vit të zakonshëm.

“Nuk kemi më vaksina. Më shumë vende po vazhdojnë t’i kërkojnë (ato) dhe është jashtëzakonisht sfiduese,”- tha Dr Philippe Barboza, Drejtues i Ekipit të OBSH-së për kolerën dhe sëmundjet epidemike diarreike.

Ai i referohej një rezerve emergjence të mbajtur nga Grupi Ndërkombëtar Koordinues për sigurimin e vaksinave që menaxhohet nga OBSH dhe partnerë të tjerë. Në mënyrë tipike, ka rreth 36 milionë doza në vit. Mungesa e vaksinave ka shtyrë tashmë OBSH-në të pezullojë përkohësisht strategjinë standarde të vaksinimit me dy doza në tetor.

Barboza tha se një pjesë e krizës ishte për shkak të vendimit të një prodhuesi indian për të ndaluar eksportet, pa dhënë detaje. Ai tha se një prodhues afrikano-jugor po planifikonte të fillonte prodhimin, por do të duheshin “disa vite”.

“Është ndoshta shumë më pak tërheqëse të zhvillohet një vaksinë për kolerën, pra në thelb një vaksinë për vendet e varfra, sesa të zhvillohen vaksina kundër COVID ku të ardhurat e bëra për vaksinën janë shumë më të larta,” tha ai. Një grumbull prej më shumë se 1 milion dozash mbërriti në Haiti këtë javë.

Kolera përhapet nga ushqimi ose uji i kontaminuar dhe mund të shkaktojë diarre akute. Shumë njerëz kanë simptoma të lehta, por mund të vrasin brenda disa orësh nëse nuk trajtohen.

“Nuk është e pranueshme në shekullin e 21-të që njerëz të vdesin nga një sëmundje e cila është shumë e njohur dhe shumë e lehtë për t’u trajtuar,” shtoi Barboza.

Ndër vendet me shpërthime janë ato të prekura nga varfëria dhe konflikti si Haiti dhe Jemeni, por sëmundja është raportuar gjithashtu në vende si Libani, i cili deri vonë ishte një vend me të ardhura mesatare, duke thënë se kjo duhet të jetë një thirrje “zgjimi” për Shtete te tjera.

Leave A Reply

Your email address will not be published.