Është zhdukur pa lënë gjurmë gazetarja e cila protestoi kundër luftës në Ukrainë në telvizionin shtetëror rus. Ajo ndërpreu edicionin e lajmeve, teksa në duar mbante një pankartë ku lexohej “Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës”.
Marina Ovsyannikova u shoqërua në një stacion policor në Moskë menjëherë pas ngjarjes, ndërsa tani nuk dihet se ku ndodhet. Përpara se të protestonte në televizion, ajo regjistroi një video ku thoshte se lufta në Ukrainë është krim, dhe se Rusia është agresori.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka shpallur të jashtëligjshme protestat në Rusi, në një tentativë për të ndaluar rusët të mësojnë të vërtetën e asaj çfarë po ndodh në Ukrainë.
Ndërsa vetëm pak ditë më parë, qeveria ruse miratoi një ligj që dënon deri në 15 vite burg gazetarët që përhapin “lajme të rreme” për luftën.