Zelensky akuzon Rusinë për “terrorizëm energjetik”

0 232

Rusia lëshoi të tjerë dronë kamikazë në infrastrukturë dhe objektiva civile në Ukrainën juglindore.

Kështu thanë zyrtarët ukrainas më 4 nëntor.

Pas dëmtimit të madh në rrjetin elektrik, që erdhi si pasojë e këtij sulmi, miliona ukrainas mbetën pa energji elektrike. Kjo e ka shtyrë presidentin Volodymyr Zelensky që të akuzojë Moskën për “terrorizëm energjetik”.

Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit Dnipropetrovskov, tha se ushtria ukrainase shkatërroi tetë dronë Shahed-136 në rajonin jugor të Nikopolit.

Ai tha se trupat ruse goditën gjithashtu katër vendbanime në të njëjtin distrikt me raketa Grad dhe zjarr artilerie, dhe dëmtuan një tubacion gazi dhe një linjë energjie, si dhe shkatërruar disa ndërtesa banimi.

Zelensky tha në fjalimin e tij më 3 nëntor se më shumë se 10 për qind e popullsisë së paraluftës në Ukrainë, ose 4.5 milionë banorë, kanë mbetur përkohësisht pa energji elektrike për shkak të sulmeve ruse.

“Vetë fakti që Rusia po përdor terrorizmin energjetik tregon dobësinë e armikut tonë. Ata nuk mund ta mundin Ukrainën në fushëbetejë, kështu që ata përpiqen të thyejnë popullin tonë në këtë mënyrë”, tha ai.

Ka disa javë që Rusia është duke shënjestruar infrastrukturën ukrainase të energjisë, dhe ndërtesa tjera civile, me raketa, dronë dhe sulme artilerie, teksa ushtria ukrainase zgjeron kundërofensivën në lindje dhe juglindje.

Rusia deri më tani ka shkatërruar më shumë se 40 për qind të infrastrukturës ukrainase të energjisë./REL

Leave A Reply

Your email address will not be published.