Mbledhja e kësaj të enjteje në Komisionin e Sigurisë është përfshirë në debate.
Ka qenë deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj ai që ka kërkuar sqarime lidhur me situatën e rendit dhe shkarkimin nga ministri i Brendshëm të Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Ministri u përgjigj duke thënë se shkarkimi është bërë sipas ligjit. Më tej ai garantoi se nuk ka asnjë përplasje me partnerin strategjik, SHBA-të.
Pjesë nga debati
Ferdinand Xhaferraj: Që nga 13 shtatori, ne kemi kërkuar, 1/3 e deputetëve kemi kërkuar prezencën në mënyrë urgjente të ministrit të Brendshëm lidhur me situatën e rendit dhe shkarkimin e Gledis Nanos. E kërkuam këtë seancë urgjente sepse po atë ditë, aleati ynë strategjik, SHBA, ambasadorja Yuri Kim, në një status qartësonte se Gledis Nano ishte partner i fortë i SHBA me shumë kontribute dhe i dekoruar me arritje. Situata është shumë shqetësuese. Nëse nuk ishin interesat e aleatit strategjik, kush ishin interesat që e shkarkuan drejtorin? Ne kemi detyrime që të dalim nga politika për ti shërbyer interesave kombëtare.
Xhemal Qefalia: Sot jemi për të diskutuar për buxhetin. Të vazhdojmë me rendin e ditës se i shërben dhe kohës në dispozicion.
Bledi Çuçi: Shkarkimi dhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm është administrative dhe çdo procedurë është bërë sipas ligjit përkatës. E dyta, lidhet me partneritetin tonë, me SHBA. Ju garantoj dhe jam i bindur që edhe ju e dini po kaq mirë se s’ka asnjë përplasje me partnerin tonë strategjik. Ata kanë bërë falënderim për ish drejtorin dhe i kushtohet pjesës kur ka qenë drejtor i Antiterrorit dhe ka pasur lidhje më të ngushtë në atë pozicion. Nuk ka asnjë përplasje, madje asnjë korrespondencë lidhur me këtë gjë, kështu që nuk ka asgjë okulte sepse çdo shkak duhet të ketë dhe pasojën nëse duhet të ketë një situatë okulte që mbështjell këto lëvizje. Është çështje pa rëndësi për opinionin publik. Kam ardhur për sulmin kibernetik. Po pres raportin e FBI dhe Microsoft dhe doja të vija me raport profesionistësh e të mos flisnim me çfarë kemi parë deri tani.