Xhaçka takohet me Dendias: Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona

0 145

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi të premten në mëngjes një vizitë zyrtare në Greqi, me ftesë të homologut Nikos Dendias. Bisedimet dypalëshe u zhvilluan rreth orës 08:00, ndërsa dy ministrat e Jashtëm patën edhe një takim kokë më kokë.

Ministria e Jashtme tha se bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet shqiptaro-greke në të gjitha fushat, si dhe në çështjet me interes në Europë dhe rajon, duke përfshirë zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit rus, situatën në Mesdheun Lindor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri-Greqi. Mirënjohje ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit”, shkroi Xhaçka në Twitter.

“Unë mirëprita homologen shqiptare Olta Xhaçka në Ministrinë e Punëve të Jashtme për bisedime të zgjeruara. Në agjendë: forcimi i marrëdhënieve Greqi-Shqipëri, perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm grek pas takimit.

Të premten pasdite ministrja Xhaçka do të udhëtojë drejt Italisë për të qenë pjesë e Dialogut të Dytë Mesdhetar për krizën ushqimore, e ftuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Leave A Reply

Your email address will not be published.