Vjedhje, gaz lotsjellës dhe krim shtetëror te ASTIR

426

-Basha dhe Kryemadhi e akuzuan kryeministrin si “pushtues” dhe mbrojtën të drejtat e banorëve të cilët u nxorën me forcë e gaz lotësjellës nga banesat.

-Dje Unaza e Re i ngjante një zone lufte me gaz lotsjellës, zjarre, shkopinjë gome që kërcisnin mbi trupat e njerëzve, ulërima grash dhe fëmijësh që kërkonin të mbronin shtëpitë e tyre. Me dajak dhe grushta qeveria, pas 14 muajsh rezistencë, hyri në këtë lagje të Tiranës dhe shembi 33 shtëpi. Presidenti Meta e quajti të patolerueshme dhunën policore dhe shkeljen e së drejtës për pronën.

Me qindra forca policore kanë ndërmarrë dje një aksion të pashembullt kundër banorëve të zonës së “Astir” në Unazën e Re. Në orën 06:00 të mëngjesit, forcat anti-terror dhe struktura të policisë që përdoren vetëm për ngjarje të rënda kriminale, rrethuan zonën dhe lejuan që mjetet e rënda të prishin banesat e banorëve që protestojnë prej më shumë se një viti. Shkopinjtë e gomës, gazi lotsjellës dhe dhuna çnjerëzore  policore u përdorën mbi disa dhjetëra banorë që u kapën në befasi dhe tentuan të rezistojnë. Në spitalin e traumës në Tiranë shkuan për mjekim rreth 10 banorë me dëmtime serioze. Dhëmbë të thyer, goditje me shkopinj gome dhe fraktura të ndryshme të trup ishin shenjat që lanë qindra forca policie kundër një grushti njerëzish që mbronin pronën e tyre. Numri i të lënduarve është shumë më i madh, pasi dhjetëra të tjerë që u gjakosën nga dhuna nuk u paraqitën për mjekim, nga frika e arrestimeve. Të tjerë që rezistuan u arrestuan nga policia dhe veç dhunës së egër të policisë do të përballen tani dhe me procese penale dhe akuza me disa vite burg, për shkak të ashpërsimit të ligjit për kundërshtimin e policisë. Të plagosur mbetën edhe pesë policë. “Astiri” dje i ngjante një zone lufte me gaz lotsjellës, zjarre dhe ulërima grash dhe fëmijësh që kërkonin të respektohej e drejta e tyre për pronën. Me zjarr dhe hekur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pas 14 muajsh rezistencë hyri në këtë lagje të Tiranës dhe shembi 33 shtëpi. Sipas IKMT banesat e shembura kanë marrë dëmshpërblimin dhe nuk mund të legalizohen, për shkak se janë ndërtuar në vijën ku kalon projekti i Unazës së Re. Ndërkohë banorët nuk kundërshtojnë projektin e Unazës së Re, por prej kohësh kërkojnë që prona e tyre të vlerësohet me çmimin real dhe jo të kompensohen me shuma qesharake. Por për qeverinë buxheti i shtetit nuk mund të përballojë koston e madhe që ka dëmshpërblimi i këtyre banesave. Në vend të përgjigjes ligjore ndaj pretendimeve të tyre qeveria zgjodhi formën më të shëmtuar; nxjerrjen nga shtëpitë me gaz lotsjellës dhe rrahjen barbare të tyre. Institucionet e shtetit u justifikuan dje për dhunën çnjerëzore dhe aktet jo normale të forcave të rendit duke thënë se u zbatua ligji. Në fakt, dje shqiptarët panë sesi shteti u kthye në një bandë që rrëmbeu pronat dhe dhunoi barbarisht qytetarët. Aktet e policisë dhe institucioneve ndaj banorëve të “Astir” janë të gjitha të paligjshme. Në mes të Tiranës qeveria konsumoi dy krime të mëdha shtetrore;, grabitjen e pronës me dhunë ndaj qytetarëve dhe korrupsionin masiv me vetë projektin e Unazës së Re. Historia e “Astir” u shfaq para shqiptarëve si një afër e pistë që kutërbonte korrupsion që kur u miratua projekti. Projekti i miratuar nga qeveria parashikon që për 1 kilometër rrugë në këtë zonë, shqiptarët do të paguajnë 20 milionë euro. Mesatarja e vendeve të BE për këtë standard rrugë është 7 deri në 10 milionë. Pra, qeveria “Rama” u kap duke vjedhur në bashkëpunim me biznesin mbi 20 milionë euro dhe ky është korrupsioni më i madh i faktuar në Shqipëri me dokumente, të cilat u publikuan nga Ylli Rakipi te “Të PaEkspozuarit”. Për shkak se skandali plasi në media, qeveria tha se tenderi i parë u anulua, por shifrat nuk ndryshuan shumë edhe me tenderin e ri. Ndërkohë ata që firmosën vjedhje dhe ata që do të merrnin paratë nuk u hetuan kurrë dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ndërsa qeveria përgatiste të vidhte 10 milionë euro për çdo kilometër rrugë, banorët e shtëpive që u nxorën jashtë në shi.  Sigurisht një pjesë e banesave nuk ishin legalizuar, por nuk mund të hedhësh në rrugë qytetarët që ashtu si qindra mijë shqiptarë kanë ndërtuar pa leje, por me miratimin e të gjitha qeverive. Vjedhja e parave me korrupsionin e projektit është krimi i parë i pandëshkuar me banorët e “Astir”, ndërsa ajo që ndodhi dje me rrahjen barbare të grave dhe fëmijëve nga policia është krim shtetëror. Dhuna e forcat speciale, gazi lotsjellës mbi qytetarët, shembja e shtëpive janë akte që nuk kanë vend në një shtet normale. Trajtimi i banorëve të “Astir” si kriminelë dhe qytetarë të dorës së dytë është fyerje për çdo banor të Tiranës dhe çdo shqiptar. Akte e dhunës dje janë nga ato ngjarje që vënë në provë dhe shoqëritë e një vendi normal. Nëse shpronësimi pa dëmshpërblim dhe dhunimi i grave duket si zhvillim normal, atëherë askush në këtë vend nuk është më i sigurt. Askush nuk është kundër ndërtimit të Unazës, madje as vetë banorët që protestonin, por ajo që kërkohej është që shteti t’i trajtonte me dinjitet dhe tu njihte pronën që po u shembej. Qeveria nuk bëri asgjë tjetër, vetëm se u soll si pushtuese dhe masakroi qytetarët. Ndërkohë qytetarët e Tiranës dje u gëzuan sepse trafiku te “Astiri” u lirua, duke harruar se krimi shtetëror që ndodhi dje është precedentë shumë i rëndë. Mesazhi që dha dje krimi shtetëror shkon përtej “Astir” dhe ajo që ndodhi të Unaza e Re mund të ndodhë kudo në Tiranë.

Sejcili është i kërcënuar nga kjo qeveri.

Mili Xhani

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.