Një tjetër ekzekutim mafioz ka tronditur opinionin publik. Hekuran Billa 40-vjeç, u qëllua për vdekje mbrëmjen e së enjtes brenda makinës së tij në zonën e Komunës së Parisit. Pak përpara se të ekzekutohej, mësohet se ai ka qenë në Durrës. Më pas ka ardhur përpara një qendre tregtare në Tiranë, ku edhe parkoi makinën pasi ka dashur të takojë motrën e tij, e cila ka një dyqan pranë kësaj qendre. Ky ka qenë pikërisht momenti kur edhe autorët e kanë ekzekutuar. Billa së fundmi ka hyrë në Shqipëri, para 5 ditësh, nga pika kufitare e Kosovës dhe thuhet se u kthye nga Belgjika.
Hekuran Billa, rezulton një person me precedent të theksuar kriminal, pasi në vitin 2006, ai ekzekutoi me brëshëri në një lokal në Angli, shtetasin Prel Marku ndërsa la të plagosur tre të tjerë: Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.
Në Shqipëri Billa kërkoi një tjetër proces gjyqësor për njohjen e vendimit. Gjykata shqiptare ja konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, për veprën penale që ai akuzohej. Pasi mori këtë vendim tre vite më vonë, Billa bëri sërish një kërkesë në gjykatë për tu liruar me kusht, që e arriti ta marrë në vitin 2019.