U rrëzua çdo gjë, përveç solidaritetit

641

Reagimet nga Kosova; ndihma në kohë rekord, mbledhja e fondeve, mbështetja me njerëz, mjete dhe ndihma njerëzore është nga ato ngjarje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Si rrallë herë Prishtina, shqiptarët e Preshevës, Maqedonisë dhe Malit të Zi janë këto ditë në Tiranë, Durrës dhe Thumanë duke dhënë ndihmë dhe duke bërë akte që emocionojnë çdo shqiptar

Sot Shqipëria feston 107-vjetorin e Pavarësisë. Rrugët duhet të ishin me flamuj kuq e zi dhe shqiptarët në festë. Por ky përvjetor e gjen Shqipërinë dhe kombin në momentet më dramatike në historinë e tij. Tërmeti shkatërrues i së martës e ka zëvendësuar festën me flamujt e zisë dhe dhimbjen për viktimat e humbura. Dy ditë pas tërmetit të madh, 6.4 ballë bilanci i viktimave ka arritur në shifra të paimagjinueshme. 36 persona raportohen të kenë vdekur dhe gati 700 të tjerë janë plagosur. Fatkeqësisht nuk ka ende një bilanc sesa është numri real i viktimave, pasi dyshohet se ka akoma njerëz nën rrënoja. Por çfarë është më e keqe nuk dihet nëse tragjedia ka përfunduar me kaq. Lëkundjet e djeshme me 5.3 ballë rikthyen panikun dhe ankthin të qytetarët. Dëmet në banesa janë ende të pallogaritshme dhe do të kërkojnë investime dhe projekte për dekadat e ardhshme.

Tërmeti apokaliptik që goditi Durrësin dhe Thumanën, në prag të 107-vjetorit të pavarësisë, ka lënë pas shumë viktima e bashkë me banesat dhe pallatet ka rrëzuar shumëçka nga Shqipëria që ne kemi ndërtuar këto vite. Fatkeqësisht veç banesave, tërmeti rrëzoi shtetin tonë prej letre dhe propagandën boshe të qeverisë. Gjithë mburrjet e kësaj mazhorance se kanë ndërtuar shtet ranë brenda pak orësh, kur u pa sesa të pafuqishme dhe të lodhura janë strukturat tona të emergjencave. Dy ditë pas gjëmës kombëtare ende nuk dimë sa është numri i saktë i viktimave. Nuk dimë sa janë personat që ndodhen nën rrënoja. Nuk ka një bilanc të banesave të pabanueshme në Durrës, Thumanë apo dhe në Tiranë dhe Lezhë ku dëmet nuk kanë qenë të pakta. Reagimi i institucioneve ishte njerëzor dhe duhet përshëndetur, por jo profesional dhe i përgatitur për situata të tilla. E mirëkuptojmë çdo justifikim, por nuk kuptohet se në gjithë këto struktura shtetërore dhe zjarrfikëse ka vetëm fardoma, pompa uji, kazma dhe lopata dhe asgjë tjetër. Nuk është vendi as për humor dhe ironi, por ky shtet nuk kishte as edhe një qen për të kërkuar trupat e humbur në rrënoja. Ndërkohë pallavrat qeveritare mburren për epokën dixhitale dhe qeverisjen me anë të internetit ndërsa ne nuk kemi pajisjet bazë për të shpëtuar kokën e njerëzve. Sigurisht ata mijëra burra dhe gra, mjekë, policë, zjarrfikës kanë bërë këto ditë akte heroike duke rrezikuar jetë e tyre. Meritojnë mirënjohje, por këtu duhen të shihet ku janë strukturat e shtetit me mjete dhe ndihmë, e jo vetëm aktet heroike me risk të njerëzve.

Por tërmeti nuk rrëzoi vetëm propagandën bajate të kësaj qeverie. Kjo tragjedi rrëzoi gjithë qeveritë që ka pasur shteti shqiptar. Tërmeti ishte i rëndë dhe shkatërrues, por Shqipëria e ka problemin te ndërtesat dhe jo shkalla goditëse e tërmeteve. Shqipëria është zonë sizmike me risk dhe kushdo ndërtues e di se cilësia e pallateve dhe banesave duhet të jetë më e mirë se vendet e rajonit. Në vend të sigurisë në ndërtime, këto vite ne kemi prodhuar pallate dhe ndërtesa që sot janë bomba sociale. Në Thumanë godinat kishte marrë goditje dhe askush nuk mori masa. Në Durrës ndërtimet ishin në zonën e kënetës dhe zonën e plazhit, ku dikur ka qenë e ndaluar kategorikisht të ngriheshin objekte mbi dy kate. Tragjedia që goditi vendin është jo vetëm risk nga Zoti, por edhe një akt kriminal i gjithë qeverive që kanë lejuar ndërtime të tilla vrasëse.

Tërmeti rrëzoi dhe gjithë modelin ekonomik që kemi ndërtuar. Në 30 vite e vetmja që qeveritë dhe Shqipëria kanë prodhuar janë pallatet dhe betoni. Ndërtime pa hesap dhe pa kritier sipas rregullave moderne anti-sizimike. Grataçela dhe pallate shumëkatëshe që janë nxitur nga qeveritë për të rritur buxhetin dhe nga një pjesë e biznesit për të pastruar edhe paratë. Fatkeqësisht, një pjese e këtyre ndërtimeve janë pa standarde. Sot po provojmë në kurrizin tonë se këto ndërtime jo vetëm na kanë vjedhur pasurinë, por tani janë kthyer në kërcënim serioz për jetën. Ata që i lejuan në Durrës, etj, në vend të zhvillimit ekonomik i kanë sjellë vendit një kosto të madhe njerëzore dhe sigurisht ekonomike për dekadat e ardhshme. Kjo tragjedi që ka shokuar Shqipërinë dhe kombin ka rrëzuar gjithë modelin qeverisës, ekonomik dhe social që ka ndjekur Shqipëria këto vite.

Në këto orë të rënda për kombin, me viktima dhe panik ka vetëm një lajm të mirë. Solidariteti që shqiptarët po tregojnë këto ditë është i vetmi zhvillim që të kthen shpresën në një situatë kaq tragjike. Qëndrimet e qytetarëve për tu ardhur në ndihmë banorëve janë nga ato ngjarje që meritojnë vlerësim. Pjesa që të prek pozitivisht në këtë tragjedi është qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës. Reagimet nga Kosova, ndihma në kohë rekord, mbledhja e fondeve, mbështetja me njerëz, mjete dhe ndihma njerëzore vëllazërore është nga ato ngjarje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Si rrallë herë, Prishtina, shqiptarët e Presheve, Maqedonisë dhe Malit të Zi janë këto ditë në Tiranë dhe Thumanë duke dhënë ndihmë dhe duke bërë akte që emocionojnë çdo shqiptar. Një ndihmë të paçmuar ka dhënë Greqia duke dërguar, pak orë pas tërmetit shkatërrues, ministrin e Jashtëm në Tiranë vetëm në mbështetje për përballimin e situatës dhe t’u vijnë në ndihmë autoriteteve. Brenda ditës erdhën dhe ekipet më të mira të shpëtimit që nxorën nga rrënoja jo pak qytetarë. Italia, Franca, Çeka, Rumania, Izraeli, ushtarakët e SHBA në Kosovë, Serbia etj, janë vendet që në këto ditë të rëndë kanë sjellë ekipe speciale që kanë shpëtuar njerëz dhe kanë sjellë shpresën për banorët e dëmtuar. Janë ndihma që kanë shpëtuar jetë, por dhe kanë treguar se në këtë tragjedi që rrëzoi çdo gjë, ka mbetur në këmbë solidariteti dhe shpresa.

Mili Xhani

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.