U gjakos në fytyrë, Broja “alarmon” Shqipërinë, Edy Reja me “dhimbje koke”

0 302

Pas një periudhe fantastike, shkëlqimi i Armando Brojës po zbehet disi në sfidat e fundit. Ylli kuqezi për herë të parë nuk u preferua si titullar nga trajneri i Southampton në sfidën e fundit, atë kundër Watford. Broja nuk po arrin të gjejë rrugën e rrjetës, nuk shënon prej tre ndeshjeve radhazi, e fundit ishte kundër West Ham në sfidën e 1/8 në FA Cup.

Në fakt, jo vetëm Broja, ky është një moment negativ për të gjithë ekipin e Southampton teksa kanë pësuar 3 humbje radhazi. Ndaj Watford, Broja u aktivizua me fillimin e pjesës së dytë por pa mundur të lë gjurmë, si të mos mjaftojë kjo sulmuesi kuqezi pësoi një dëmtim të rëndë në fytyrë gjatë përplasjes me portierin çka bëri që “bomberi” shqiptar të mos e mbyllte ndeshjen.

Ky dëmtim dhe kjo formë e Brojës shqetëson jo pak edhe trajnerin Edy Reja, pasi kuqezinjtë do të zbresin në fushë për dy miqësoret e muajt mars, kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë, dy teste ku pa diskutim interesimi është i madh për të parë Brojën titullar.

Tek Southampton por mbi të gjitha tek Shqipëria kryqëzojnë gishtat me shpresën që të mos bëhet fjalë për një frakturë në fytyrë dhe që ylli kuqezi të rikthehet sa më shpejt në fushë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.