Trazirat në SHBA, Trump kërcënon të mobilizojë ushtrinë

0 405

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kërcënon të mobilizojë ushtrinë për të shuar trazirat civile lidhur me vdekjen e një afro-amerikani gjatë ndalimit nga policia. Kreu i Shtëpisë së Bardhë fajësoi autoritetet lokale të qyteteve e shteteve, të cilat siç tha, kishin dështuar të vinin nën kontroll situatën dhe të mbronin banorët.

”Nëse qeveritë lokale apo shtetet refuzojnë të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve të tyre, do të mobilizoj ushtrinë dhe do ta zgjidh shpejt problemin për ta”.

Protestat për vdekjen e 46-vjeçarit George Floyd janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke rezultuar në përleshjet e dhunshme, plaçkitje, plagosje e humbje jetësh. 2 persona humbën jetën gjatë trazirave në Çikago, ku pati gjithashtu rreth 60 të arrestuar. Një sërë qytetesh të mëdha vendosën masën e ndalim qarkullimit gjatë natës.

Nju Jorku ishte shtetrrethim deri në orët e para së martës, ndërsa Uashingtoni e ka zgjatur masën për dy netë të tjera. Dyqane ikonë në qytetin që nuk fle kurrë u plaçkitën dhe vandalizuan. Disa persona u vunë në pranga. Protestat nisën pas publikimit të videos, që shfaqte momentin e arrestimit të Floid, ndërsa një polic i kishte vendosur gjurin në qafë duke i bllokuar frymën. Autopsia konkludoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e asfiksisë duke e shpallur zyrtarisht një vrasje.

Leave A Reply

Your email address will not be published.