Tirana po bëhet si Ramallahu

0 414

Nga Ilir Babaramo

Territori i Teatrit Kombëtar është kthyer në një fushëbetejë. Dramaciteti i përplasjes, egërsia e deklaratave po ngjason gjithnë e më shumë me konfliktin e palëve në Gaza apo Bregun Perëndimor, ku arabë e izraelitë përleshen për të penguar apo lejuar ndertimin e ngulimeve të kolonëve. Lufta është ekzistenciale. Me të gjitha mjetet e mundshme që ta rrok mendja njerëzore. Shikoni çfarë po ndodh në Tiranë. Skena vertet lunatike. Shefi i opozitës i pari, pastaj një natë më pas kryetarja e partisë tjetër të opozitës, e cila është dhe gruaja e kryetarit të shtetit, thyejnë karantinën dhe në krye të militantëve gdhihen tek godina e Teatrit me frikën se mos fadromat e pushtetit shkojnë natën për ta shembur.

Skena absurde e sureale, që ndodhin rrallë dhe në territore të pushtuara. Prej shumë e shumë muajsh , perplasja që ka nisur 20 vjet më parë, palët i ka çuar në akte të skajshme. Kryeministri duket se e ka betejën e jetës. A thua se bëhet fjalë për Malin e Tempullit. Ka përdorur çdo institucion apo individ që kontrollon vetëm për të arritur qëllimin. E nisi me dallkaukun e Institutit të Ndërtimit, i cili firmosi një ekspertizë sipas së cilës godina e Teatrit nuk është e sigurte dhe rrezikon të shembet nga një tërmet i mundshëm. Si për ironi të fatit, pak javë më pas një tërmet shkundi Shqipërinë qëndrore. Teatri nuk u prek ndërkohë që suvatë që Shkreli kishte shtuar në muret e zyrës së kryeministrit u shëmbën. Por Rama dhe luogotenente i tij në bashki nuk u ndalën. Tashmë kishin gjetur dhe Fushën që bërit të teatrit ti rripnin gjashtë palë lëkure, gjashte kulla që do ndërtoheshin nga privati në tokë publike.

Me një këmbëngulje Sizifi, duke përdorur gjithë bateritë e pashtershme të propagandës, duke blerë heshtjen, veset, dobësitë njerëzore të disave që flisnin në emër të komunitetit të artistëve, menduan se ia hodhën.
Palët u ulën në negociata. Aty filloi zhgënjimi i parë. Fusha, ai që lëndinat e Edenit i ka gjetur në bashki, u thotë përfaqësuesve të “certifikuar” se nuk mund te realizojë një prej kërkesave teknike të tyre: skenën e lëvizshme. Të gjithë shqyen sytë nga habia. Regjisori veteran, Leka Vetingu, duhet ta mbajë mend se rotativin që i kërkonin Fushës për Teatrin e ri Kombëtar e kishte dhe kinoteatri modest i Dervicanit që në vitet 80 të shekullit të kaluar. Fusha u tërhoq nga ndërtimi i teatrit por jo nga projekti i kullave në tokë të bashkisë. Kjo është temë tjetër.

Tani gjithë vëmendja po përqëndrohet tek Teatri, ku po luhet një farsë që na bën gazin e botës: drejtuesit e opozitës po kërcënojnë me zjarr dhe gjak. Rama ndjen një kënaqësi përverse duke i parë të poshtëruar tek kalojnë natën jashtë dhe në vakt pandemie. Gjithësesi një zgjidhje duhet gjetur për Teatrin. Jo deus ex machina, jo me fadroma një natë karantine. Duhet hequr dorë nga veprimet frenetike. S’ka përse të organizohen kinse mbledhje të këshillit bashkia. Bota nuk po pret me ngut nga Tirana që të gjejë vaksinën e Covid-19. Mos bëhemi gazi i botës. Dy zgjidhje po kristalizohen mes palëve: restaurim i godinës ekzistuese duke mbrojtur kështu vlerat e saj historike ose shembja dhe ndërtimi i një teatri të ri.

Për secilin opsion ka argumenta pro dhe kundër. Le të gjykohet secili prej tyre. Qeveria të shpallë një moratorium. Qytetarët të dëgjojne argumentet e ekspertëve, jo vetëm të atyre që kanë kaluar në vetingun e Lekës. Pas moratoriumit të qeverisë drejtuesit e opozitës të heqin dorë nga deklaratat histerike. Dhe në fund qytetarët e kryeqytetit të vendosin në një referendum se cilin projekt mbështesin. Kjo është procedura më normale në një vend normal evropian. Tirana nuk është Rramallahu, kryeqyteti i autoritetit palestinez. /TPZ/

Leave A Reply

Your email address will not be published.