Te degjosh Rihanen ose te vrasesh si Nazmija

0 369

Nga Sokol Bregu –

Man down, thotë Rihana, idhulli i miliona njerëzve në botë, një këngë për të ngritur në revolucion të gjitha ato që përdhunohen. “Nuk doja tia merrja jetën,- thuhet në këngën e Rihanës, por nuk mund të flija natën. Kenga u lançua ne qershor të vitit 2011 dhe nuk është më e pëlqyera prej fansave. Në miliarda klikime që ajo ka në Youtube vetëm 711 milion ka marrë për këtë këngë.

Pak muaj më vonë Nazmije Visha, vrau përdhunuesin e saj. Të siguroj që jo prej Rihanës, nuk flinte dot, as nuk mund të mendonte. Pak a shumë këtë thoshte në rrëfimin e saj. Në fillim opinioni ishte me të, por pastaj të gjithë e harruan. Ajo do të ishte ende në burg, nëse një shqiptar i mirë dhe i madh si Ismail Kadare, nuk do të ngulmonte së shkruari Presidentit të asaj kohe Bujar Nishanit, ta falte.

Dhe Presidenti e bëri amnistinë, e dëgjoi shqiptarin e madh. Shoqëria asokohe nuk reagoi. Edhe pse nga historia e Nazmijes, ishin tronditur të gjithë. Askush nuk i shkruajti Presidentit, dhe jo më të protestonte për të. Të flas drejtësia thanë. Kur dëgjove historinë e Babrrusë, besoj se u bëre gati edhe ti të denoncoje, kur pe protesta, kur dëgjove deputetë të shqetësuar për ty, kur dëgjove se përdhunuesit duhet të varen në litar, kur pe ministren të qante për ty.

Pas të gjitha këtyre përdhunuesit dënohen sërish njësoj nga 5 deri në 15 vjet, dhe vetëm nëse ti vret veten shkon në 20. Kaq mendon Kodi Penal se ti ja vlen. Po të ishin kaq të shqëtësuar për ty, do mblidheshin të gjithë për ta ndryshuar këtë kod. Në këtë parlament ndryshohet kushtetuta për interesa partiakë për tre minuta. Ndërsa ti mund të përdhunohesh disa herë dhe kodi nuk ndryshon. Për tre sekonda në kompjuter mund ta ndryshojnë nga pesë në burgim të përjetshëm, kaq mjafton që ti të shpëtosh, por mos kujto se do ta bëjnë. Ulëri brenda vetes po të duash, por kaq vlen për ta.

Adriana është një vajzë jetime që denoncoi pak ditë më parë as më pak dhe as më shumë një film horror. E dëgjuan, e keqardhën, dhe në fund e harruan dhe i thanë dhe gënjeshtare. Po ajo nuk tha asgjë tjetër veçse raportin e Avokatit të Popullit tre vite më parë. Dhunë dhe frikë për të gjitha këto jetimore. Hetimet që nuk u përfshinë në raport tregonin për vajza si Adriana, të dërguara në Greqi dhe Kosovë si prostituta. Avokati kërkoi mbylljen e jetimoreve në vend, dhe shteti e dëgjoi, e ndërroi aty për aty për një marrëveshje politike. Të siguroj jo për këtë fakt, por se kaq vlen denoncuesi për një qeveri.

Po, po, Adriana gënjen se, nuk mundet që një parti e majtë në pushtet i ka harruar jetimoret. Jo, ajo kujdeset të bëjë foto cdo 20 maj. Një shtet i shqetësuar do të kërkonte menjherë raport mjekësor, të paktën për cdo vajzë në jetimore në këto momente, pas këtij denoncimi, nëse është e dhunuar seksualisht apo jo ? Një firmë në një letër të bardhë e ka, po nuk i dihet çfarë del pas saj, ndaj bën si e keqardhur dhe nuk flet. As një firmë nuk vlen ti për ta.

Në këtë vend, nuk përdhunohen vetëm vajzat e varfra… ato të një shtrese më lartë nuk tregojnë, sepse të gjithë do thoshin fajin e ka vetë. Të siguroj për këtë. Edhe në komunizëm përdhunohej, këtë na tha Alida Hisku vite më parë, por ne nuk hetuam kurrë, thamë se meqë nuk këndonte më, donte me ra në sy.

Por ti ke një aleat dhe nuk e di… Çuditërisht ata janë trafikantë, vrasës, hajdutë, ata i vrasin përdhunuesit në burg. Ta marrin hakun që nuk ta merr dot askush. Sepse edhe për ata përdhunimi nuk është krim, është instinkt kafshëror, dhe si e tillë, kafshët e egra dhe të rrezikshme vriten.

Ruaju vajzë derisa dikush të të mbrojë me ligj. E di ç’thonë lacat në këtë vend, kur nuk arrijnë dot një femër të bukur? A ja vlen me bo pesë vjet burg për të ? Ndaj me keqardhje të them, se në këtë shtet të kanë lënë dy alternativa, të dëgjosh Rihanën, ose të vrasësh si Nazmija.

Leave A Reply

Your email address will not be published.