Superkupa e Shqipërisë, Gurishta nuk ka dyshime: Tiranën duam ta mundim edhe në miqësore!

0 148

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, në dy vitet e fundit ka ngritur trofeun e Kupës së Shqipërisë, por sot shpreson që të fitojë edhe Superkupën. Në konferencën e djeshme për mediat, mbrojtësi foli për finalen me Tiranën, teksa theksoi se dëshira për të mundur bardheblutë ekziston edhe në miqësore, jo më kur bëhet fjalë për trofe. Gurishta shpreson se do t’ia dalin me mbështetjen e tifozëve.

Erdenis, një tjetër ndeshje ndaj Tiranës. Si vjen Vllaznia këtë herë?

Ndeshjet nuk i ngjajnë njëratjetrës, por ne do të kërkojmë që të vazhdojmë aty ku e lamë ndaj Tiranës. Kishim një ecuri të mirë pa u ndërprerë kampionati, por kjo është një tjetër përballje.

Ua ka shtuar motivin fakti që vini pas grumbullimit në Kombëtare?

Të them të drejtën, ftesa e Kombëtares është motivim për çdo lojtar. Të bën që të japësh maksimumin dhe në të ardhmen të luftosh edhe më shumë. Nuk kisha mundësitë e duhura në dy miqësoret e fundit, por do të përpiqem që të vijë sërish ftesa dhe të tregoj vlerat e mia.

Pas dy kupave, besoni se sot është radha e Superkupës si kapiten?

Është trajneri që vendos, unë dhe shokët do t’i përgjigjemi. E dimë që është finale dhe duhet të japim maksimumin. Kur luan ndaj Tiranës, edhe miqësore nëse është, duhet që ta fitojmë ndeshjen, sepse kemi pasur rivalitet, si në fushë dhe në tribuna.

Ndikojnë dy mungesat në mbrojtje të Bulatoviç dhe Juriç?

E rëndësishme është që ai që do të luaj të japë më të mirën në fushë. Çdo lëvizje që do të bëhet, do të jetë në të mirën e ekipit.

Tifozëria shkodrane ka shfaqur interes të madh, do të jetë një armë plus për ju?

Kam pasur shumë mesazhe dhe komunikime edhe nga diaspora. Unë i vlerësoj shumë, sepse tifozëria gjithmonë na ka mbështetur edhe në momentet më të vështira që kemi pasur. Këtë presim edhe sot, sepse e gjithë tifozëria e dëshiron trofeun, ashtu si ne.

Leave A Reply

Your email address will not be published.