Strategjia e re për zgjerimin/ PE, kundër Ballkanit të Hapur: Nuk bazohet në rregullat e BE

0 141

Parlamenti Europian miraton strategjinë e re për zgjerimin e BE-së, teksa shprehet kundër Ballkanit të Hapur.

Parlamenti Evropian miratoi strategjinë e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Sa i përket transformimit demokratik dhe socio-ekonomik të vendeve kandidate për në BE, Parlamenti Evropian shpreh rezerva të forta për nismën e Ballkanit të Hapur, si një iniciative që nuk bazohet në rregullat e Unionit dhe nuk përfshin të gjitha vendet.

“Shprehin rezerva të forta për çdo iniciativë rajonale të bashkëpunimit ekonomik që nuk përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk bazohet në rregullat e BE-së, siç është nisma e Ballkanit të Hapur”

Në tekstin e miratuar nga Parlamenti Evropian për strategjinë e re të zgjerimit, kërkohet rritja e përpjekjeve drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore mes vendeve të rajonit, bashkëpunimi gjithëpërfshirës dhe efektiv social-ekonomik në nivel rajonal dhe solidaritet në vendet që kërkojnë të anëtarësohen në BE, si dhe bashkëpunimi ndërkufitar rajonal ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve partnere përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së.

Ndër të tjera në deklaratë thuhet:

“Të rritet konkurrenca ekonomike dhe kohezioni social në Ballkanin Perëndimor përmes reformave strukturore dhe duke vendosur bashkëpunim ekonomik rajonal, që është i pranueshëm për të gjashtë vendet, duke ndjekur përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe ligjet e BE-së dhe duke kontribuar në procesin e integrimit në BE”.

Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian thotë se mirëpret marrëveshjet e fundit në Samitin e Procesit të Berlinit, në veçanti përfundimin e marrëveshjeve rajonale të lëvizjes për lirinë e udhëtimit me karta identiteti si dhe njohjen e diplomave akademike e certifikatave profesionale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.