Skandali/Nuk ka rritje pagash për vitin 2020, paratë i marrin koncesionet

482

Buxheti për vitin 2020 parashikohet të arrijë 5.32 miliardë dollarë, duke shënuar një rritje me 3.3% krahasuar me vitin që po lëmë pas. Pavarësisht shifrave që duken më të madha, për 2020-ën nuk është parashikuar asnjë rritje reale pagash.

As rritje pensionesh nuk do të ketë.

Shumica e parave që mblidhen nga taksat do të shkojnë për të paguar detyrimet që qeveria ka ndaj kompanive private, me të cilat ka firmosur kontratat koncesionare.

Projektligji për buxhetin 2020 tashmë ka përfunduar fazën e konsultimit dhe pritet të kaloj së shpejti në qeveri. Edhe pse rritja ekonomike këtë vit u ul në 2.6 për qind, sërish qeveria pretendon se në 2020 shtesa të shkojë 4.1%. Ndërkohë institucionet ndërkombëtare deklarojnë se rritje do të jetë shumë më e vogël nga parashikimet e qeverisë “Rama”. Për këtë vit nuk parashikon fond për rritje pagash ndërsa shpenzimet shkojnë në 532 mld lekë. Fondi për politika të reja pagash është zero, nga 2 miliardë lekë që ishte në 2019-n. Shtesa në paga sipas tabelave të ministrisë pritet të aplikohen vetëm në vitin 2022. Sa i përket pensioneve shtesa do të jetë me një fond prej 2.5 miliardë, që duket se i përket vetëm indeksimin.

Qeveria do të paguajë 14.6 miliardë lekë ose rreth 120 milionë euro vitin e ardhshëm për kompanitë koncesionerë. Të dhënat e bëra publike në relacionin e projektbuxhetit tregojnë se krahasuar me këtë vit, fatura e koncesioneve do të rritet me rreth 18 për qind, për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja.

Aktualisht qeveria shqiptare paguan nga buxheti 10 kontrata koncesionare. Për njërën prej tyre, atë të hidrocentraleve mbi lumin Devoll ky është viti i fundit i shlyerjes. Por edhe pse përfundon Devolli, vitin e ardhshëm do të nisin pagesat për katër koncesione të reja. Pagesat buxhetore për koncesionet janë rritur me ritme dyshifrore, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Kjo ka bërë që fatura e tyre në buxhet të dyfishohet brenda vetëm tre viteve, nga 7 miliardë lekë që ishte në 2017-ën, në mbi 14 miliardë lekë vitin tjetër.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm një ulje e konsiderueshme parashikohet edhe për investimet. Sipas tabelave shpenzimet për investime parashikohen 83.7 mld lekë ose 4 mld më pak se një vit më parë. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB. Në projektbuxhetin e 2020, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5.8 miliard lekë ose 11.4% më shumë se sa ato të vitit 2019.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.