Skandali me Balenciagën, përdoruesit e rrjeteve sociale djegin produktet e firmës luksoze

0 166

Përdoruesit e TikTok-ut, por edhe rrjeteve të tjera sociale kanë vendosur të bojkotojnë firmën luksoze Balenciaga, duke djegur produktet e saj LIVE.

Reagimi vjen pas një fushate marketingu të firmës në të cilën janë shfaqur fëmijë që mbajnë në duar çanta në formë lodrash pelushi të cilëve u janë vendosur aksesorë të papërshtatshëm për të miturit.

Në disa foto nga fushata shfaqen po ashtu dy fëmijë që qëndrojnë në krevate, njëri prej tyre thuhet se mban pranë dokumente gjykate nga një rast abuzimi seksual me fëmijët. Nisur nga reagimet, në 22 nëntor Balenciaga, me anë të një “story” në Instagram i kërkoi falje publikut për përmbajtjet e papërshtatshme në fushatën e marketingut.

Megjithatë, përdoruesit e rrjetit vijojnë që të shprehin revoltën e tyre edhe pasi shtëpia luksoze e modës kërkoi falje. Hashtagu #cancelbalenciaga ka tashmë më shumë se 70 milionë shikime në TikTok, ku po zhvillohen dhe diskutime mes përdoruesve rreth imazheve kontroverse të shfaqura në reklama.

Në një video të publikuar më 28 nëntor, një përdoruese e TikTok-ut e cila ndiqet nga 65 mijë persona, e quajtur Gianna C. Avalos, shfaqet duke djegur një çantë të zezë lëkure Balenciaga për të cilën thotë se kishte kushtuar 1500 dollarë. Shembullin e saj e kanë ndjekur përdorues të tjerë në platformë.

Shkatërrimi i produkteve nga brand-e kontroverse është bërë tashmë një formë popullore e aktivizmit online. Në prill të këtij viti, blogeret ruse nisën që të shkatërronin çanta të Chanel pasi firma luksoze e modës iu bashkua vendosjes së sanksioneve ndaj Kremlinit me nisjen e luftës në Ukrainë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.