Skandal/ Gjykatat martuan 20 vajza të mitura në 2019

0 349

Martesa e vajzave para moshës 18-vjeç vijon të mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri. Martesa të tilla, të ndaluara nga konventat ndërkombëtare, legalizohen dhe vulosen nga gjyqtarët shqiptarë. Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2019, gjykatat shqiptare kanë lejuar martesën e 20 vajza të mitura, pra nën moshën 18-vjeç.

Sipas INSTAT, ky numër është ulur në krahasim me vitin 2018, kur u regjistruan 24 martesa të vajzave nën 18-vjeç, me vendime gjykate. Vajzat e mitura janë martuar me meshkuj të moshës nga 19-35 vjeç. Referuar vendimeve të gjykatave për lejimin e martesave nuk ka një vlerësim psikologjik të vajzave të mitura, ndërsa në disa raste nuk janë përfaqësuar as me avokat.

Kodi i Familjes në Shqipëri, në pikën e parë të nenit 7, ndalon martesën nën moshën. Por, pika e dytë e këtij neni parashikon që “gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe”. Pikërisht kjo pikë e Kodit të Familjes po përdoret për lejimin e martesave të vajzave të mitura.

Konventa e Këshillit të Evropës e njohur si Konventa e Stambollit, kundër dhunës ndaj grave, në nenet 32 dhe 37, u kërkon shteteve përkatëse, përfshirë edhe Shqipërisë, që të marrin masa dhe të bëjnë të pavlefshme martesat nën moshën 18 vjeç.

Leave A Reply

Your email address will not be published.