Situata tek Infektivi, mjekja: Po punojmë me kapacitete thuajse maksimale

0 347

Situata me Covid-19 në Shqipëri, nuk është aspak pozitive. Afro 90 pacientë janë shtruar në Spitalin Infektiv, duke iu afruar kapacitetit maksimal prej 120 shtretërish, që përballon ky spital. Mjekja Entela Ramosaçaj, thotë se fluksi ka ardhur edhe për shkak edhe të faktit se tashmë nuk ka masa kufizuese dhe qytetarët nuk po tregojnë kujdes. Ajo tha se personeli fitoi përvojë në muajt e parë të pandemisë ndërsa e cilësoi “koncept relativ” konceptin e “rënies së fuqisë së virusit”.

“Rastet e diagnostikuara po shtohen, pasi hapja nga masat kufizuese u shoqërua me një problem ku qytetarët u bënë mosbesues ndaj virusit dhe efektit që masat kishin te pandemia, kjo ka bërë që ata të mos tregohen të kujdesshëm. Në këtë pikë janë shtuar rastet e të rinjve të infektuar, të cilët e kalojnë disi më lehtë dhe kjo ka nxitur idenë se virusi e ka humbur fuqinë, por nuk është kështu pasi po shohim numër të lartë të prekurish dhe te personat që kanë sëmundje të tjera infektimi mbetet i rrezikshëm”.

E pyetur rreth kapaciteteve që ka Spitali Infektiv në QSUT, mjekja tregoi se po punohet me kapacitete drejt maksimales. ”Kapaciteti është deri diku maksimal të spitalit, ndërsa gjendja paraqitet mesatare deri në të rëndë. Kemi rreth 11 pacientë në kujdes intensiv, që do të thotë marrin kujdes më të specializuar, madje edhe reanimator, për shkak të gjendjes që kanë”.

Prej 9 marsit, kur u diagnostikua i infektuari i parë me Covid-19, autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer rreth 25 mijë testime, prej të cilave kanë diagnostikuar 2,893 të infektuar. Nga të infektuarit, 1,657 janë shëruar, ndërsa 77 kanë vdekur, 2 prej tyre kanë qenë mjekë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.