Shtrenjtohet duhani më 1 janar. Rritet mesatarisht me 5 lekë çdo paketë, “grosistët” shtojnë importet

0 128

Nga 1 janari duhani do të kushtojë më shumë. Bazuar në kalendarin 5-vjeçar për akcizat dhe paketën fiskale 2023, çmimi për 1 mijë fije cigare do të rritet në 7 mijë lekë nga 6 mijë e 750 lekë që aktualisht është. Kjo do të thotë se me nisjen e Vitit të Ri, shqiptarët do të paguajnë mesatarisht 5 lekë më tepër për çdo paketë.

“Risi është që për herë të parë, këtë vit, hyjnë në akcizë edhe produktet alternative të duhanit. Cigaret elektronike dhe ato me djegie”, u shpreh Shperka.

Qeveria synon që nëpërmjet rritjes së çmimit të cigareve të ulë konsumin, duke mbrojtur shëndetin. Po a do të bëjnë çmimet më të shtrenjta që shqiptarët të tymosin më pak?

“Nuk ka asnjë ndikim. Të dhënat në vite kanë treguar se me gjithë shtrenjtimin e duhanit, konsumi nuk është ulur. Përkundrazi.”

Në buxhetin për vitin e ardhshëm qeveria planifikon të grumbullojë 59 miliardë lekë apo gati 520 milionë euro nga akcizat, ku peshën më të madhe pritet ta mbajë ajo mbi duhanin. Ndërkohë, për ekspertët e tregut, qeveria duhet të rrisë kontrollin ndaj tregimit informal të duhanit.

“Dhe kjo është imperative sepse do të rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit me 80 deri në 100 milionë euro çdo vit”, shtoi Shperka.

Shtrenjtimi i duhanit në janar ka bërë që importuesit e mëdhenj të rrisin importet. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në nëntor u futën nga jashtë 319 tonë duhan, niveli më i lartë i viteve të fundit.

Në linj të të ngjashme shkojnë edhe shifrat e 11-mujorit ku rezulton se në harkun e muajve janar-nëntor u importuan nga jashtë gati 2 mijë e 900 tonë duhan, duke u rritur në raport me vitet paraardhëse.

Leave A Reply

Your email address will not be published.