Shpërthen racizmi në Londër, trenat mbushen me thirrje anti-emigrantë: Pushtues

0 147

Gjuha e ashpër deri në kufijtë e racizmit që ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman ka bërë në drejtim të emigrantëve që kalojnë Kanalin me gomone (veçanërisht shqiptarëve), duket se ka dhënë efektet e para në publik, duke nxitur urrejtjen e britanikëve përkundrejt tyre.

Përveç sulmit me tre bomba artizanale ​​në qendrën e pritjes së emigrantëve të Home Office në Dover më 30 tetor, ku mbetën të plagosur dy persona nga 66-vjeçari Andrew Leak që më pas vrau veten, postera me përmbajtje raciste janë ngjitur në disa stacione metroje në Londër.

MyLondonNews raporton se njerëzit që udhëtonin në linjën Qendrore këtë javë panë parullat me mbishkrime kundër emigrantëve të ngjitura në çdo tren.

Pasi i zbuloi një përdorues i Twitter i postoi në internet me neveri duke shkruar: “Gjuha e urrejtjes në TfL … tani pse duhet ta shoh këtë gjatë udhëtimit tim. Këto postera dramatike me gjuhë urrejtje janë në të gjithë trenin. E urrej këtë gjë“.

Një tjetër shkroi në Twitter: “Kjo me të vërtetë duhet të raportohet në Policinë Britanike të Transportit. Gjëja më dëshpëruese që kam parë“.

Në këto postera shkruhej se refugjatët dhe emigrantët që thonë se ikin nga lufta dhe vështirësitë ekonomike po marrin ushqim falas dhe strehim gjithëpërfshirës edhe pse ‘nuk janë refugjatë të vërtetë‘.

Në to përdoret gjithashtu retorikë demonizuese që përshkruan njerëzit që kërkojnë një jetë më të mirë për familjet e tyre duke marr përsipër rrezikun e kalimit të Kanalit si ‘pushtues’.

Termi “pushtues” u përdor për herë të parë nga vetë ministrja Braverman teksa kritikoi qeveritë e shkuara për Aktin e Skllavërisë Moderne dhe deklaroi se Britania nuk ka vend për refugjatët.

“Shumë prej të ardhurve këtë vit kanë qenë nga Shqipëria, ndaj ne po punojmë ngushtë me qeverinë shqiptare për të inkurajuar kthimet dhe përpunimin e rasteve dhe largimeve sa më shpejt të jetë e mundur. Por ne po shohim gjithashtu shumë shqiptarë që bëjnë pretendime të rreme se janë “skllevër modernë“”, ka thënë ministrja e Brendshme për të shigjetuar shqiptarët.

Ndërkohë, një zëdhënës i TfL tha: “Ne nuk tolerojmë asnjë formë diskriminimi dhe u tmerruam kur pamë këto postera fyes në trenat tanë. Sapo u njoftuam për këtë çështje, ekipet tona të pastrimit i gjetën dhe i hoqën, madje i kanë raportuar për hetime të mëtejshme”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.