Shembja e pallatit tek ‘Myslym Keta’ në Tiranë, Veliaj: Ishte shpallur i pabanueshëm që pas tërmetit 2019

0 152

Forca të shumta policie dhe fadromat e IKMT shembin këtë të hënë, 19 dhjetor një bllok pallatesh në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, për të cilin ekspertët kanë deklaruar se është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

Por banorët dhe opozita kanë ngritur akuza ndaj Bashkisë së Tiranës se pallati po shembet në kundërshtim me ligjin dhe se qytetarët “janë gënjyer”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj në një përgjigje për të gjitha reagimet, deklaroi sot se pallati në rr. “Myslym Keta” është i dëmtuar nga tërmeti dhe është një nga ndërtesat që janë shpallur të pabanueshëm.

Veliaj nder të tjera bëri me dije se banorët e këtij blloku pallatesh janë përfitues të apartamenteve të reja te lagja “5 Maji”.

“Në Tiranë janë prishur me dhjetëra pallate të dëmtuara nga tërmeti, sidomos në Njësitë 4 dhe 6, të cilat janë edhe dy zonat më të prekura. Nëse një institucion shtetëror, i cili quhet Instituti i Ndërtimit, ka dhënë verdiktin se ky pallat është i kategorisë DS5, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, edhe në Fushë Krujë, edhe në Thumanë dhe çdo zonë tjetër të prekur nga tërmeti, automatikisht është detyrim i pushtetit vendor të kryejë disa gjera: Së pari, të prishë ndërtesën, së dyti, t’i japë bonus qiraje banorëve, për të mos i lënë jashtë dhe së treti, t’u japë shtëpi të re. Vetëm pasi kanë marrë shtëpinë e re, banorëve që nuk kanë asnjë strehim tjetër, u ndërpritet bonusi i qirasë, për t’u futur në shtëpinë e re.

Ju kujtoj që, te zona e ‘5 Majit’ pjesa më e madhe e banorëve përfitues janë të këtij pallati në rr. “Myslym Keta”.

Disa prej tyre pata mundësinë t’i vizitoj personalisht, janë akomoduar në shtëpitë e reja prej një viti. I besuan shtetit, qeverisë, i besuan bashkisë. Nuk u morën me politikë, nuk e politizuan çështjen, por menjëherë lidhën kontratën. Fillimisht për bonusin e qirasë dhe sapo apartamentet u bënë gati, u futën në shtëpitë e reja dhe sot po i gëzojnë. Viti i Ri do i gjejë në shtëpi më komode se ato që lanë. Unë besoj se kur iu besojmë autoriteteve, kur bashkëpunojmë që të kalojmë këto situata të vështira, ecim përpara. Nëse politizohet vaksina, nëse politizohet rindërtimi dhe nëse politizohet çdo gjë dhe për ideal të partisë njerëzit harrojnë idealin e familjes, ka shumë pak gjëra që mund të bëjë bashkia, përveçse të insistojë t’i ftojë dhe t’i riftojë”, u shpreh Veliaj në një intervistë për Top News.

Leave A Reply

Your email address will not be published.