Nga Agathe Demarais, Politico.eu
Rusia e ka kthyer furnizimin me energji në një armë ekonomike. Strategjia është mëse e qartë në Ukrainë, ku dronët dhe raketat ruse po bombardojnë termocentralet.
Por është gjithashtu e qartë në Europë, ku Moska ka mbyllur rubinetat e gazit dhe ndoshta ka hedhur në erë një tubacion gazi.
Megjithatë, plani i presidentit rus Vladimir Putin tani duket se do të dështojë.
Në terma afatshkurtër, Putini do të shkaktojë dëme ekonomike në vendet e Bashkimit Europian – aq shumë sa është e pashmangshme. Por në planin afatgjatë, Rusia thjesht nuk mund ta fitojë këtë luftë energjetike.
Manovra e Putinit vetëm sa do të përshpejtojë rënien e sektorit energjetik të vendit të tij dhe do të përshpejtojë humbjen e statusit të tij të lakmuar si një superfuqi energjetike globale.
Përdorimi i energjisë si armë nga Rusia ka tre objektiva.
E para, e cila ishte e zbatueshme kur rubinetat e gazit ishin ende pak a shumë të hapura, ishte të krijonte pasiguri dhe të parandalonte vendet e BE-së që të përgatiteshin për atë që i priste.
Objektivi i dytë ishte të shkatërronte ekonomitë europiane. Dhe në këtë front, strategjia e Rusisë po funksionon – zona e euros ka të ngjarë të shënojë një recesion vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, qëllimi i tretë i Putinit ishte të nxiste ndarjet politike në Europë duke përhapur idenë se sanksionet po shkaktojnë krizën energjetike.
Ky është, sigurisht, një përmbysje e shkakut dhe pasojës, pra vendimi i Rusisë për të pushtuar Ukrainën që po shkakton krizën. Në terma afatshkurtër, Europa ndodhet në një gjendje të vështirë. Një krizë ekonomike dhe sociale po rritet, pasi çmimet e larta të energjisë po nxisin inflacionin dhe një krizë të kostos së jetesës, e cila mund të zgjasë për dy ose tre vite. Për më tepër, gjërat mund të bëhen shumë më keq se sa janë tani.
Një dimër veçanërisht i ftohtë do të rriste kërkesën për energji, duke përkeqësuar më tej situatën. Situata mund të bëhet akoma më e vështirë në sezonin dimëror 2023-2024, pasi vendet europiane arritën të mbushnin depozitat e tyre të gazit këtë verë.
Megjithatë, ata mund të mos jenë në gjendje ta bëjnë këtë përpara dimrit të ardhshëm. Është e qartë se kjo periudhë është e vështirë për BE-në, por mund të ketë njëfarë ngushëllimi në faktin se strategjia e Putinit do të dështojë.
Shantazhi i Moskës i ka bindur një herë e mirë vendet e BE-së se Moska nuk është një furnizues i besueshëm i energjisë.
Dhe si rezultat, Europa po dyfishon përpjekjet e saj për të mos përdorur më hidrokarburet ruse, me infrastrukturën LNG që po ndërtohet me një ritëm të shpejtë për të rritur importet nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Katari.
I pari nga shumë terminalet e reja të LNG-së do të hapet së shpejti edhe në Estoni, Letoni dhe Finlandë, dhe po negociohen kontrata të reja gazi për të rritur furnizimin – nga Algjeria ose Norvegjia, për shembull. Blloku po përshpejton gjithashtu planet për zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Si e tillë, duket se, brenda tre viteve apo më shumë, Europa nuk do të ketë më nevojë për naftë dhe gaz rus. Në vetëm dy muaj nga tani, blloku do të ndalojë pothuajse të gjitha importet e naftës ruse, duke i lënë kompanitë ruse të naftës në nevojë për blerës alternativë për naftën bruto ruse.
Kjo nuk duhet të jetë shumë e vështirë, pasi kërkesa nga Kina, India dhe disa vende të tjera në zhvillim është ende e lartë. Megjithatë, këto vende nuk do të jenë një zëvendësues i përsosur për tregun europian – i cili dikur ishte importuesi më i madh i hidrokarbureve nga Rusia pasi tani do të presin ulje të mëdha në çmimin e naftës së papërpunuar ruse.
Përveç kësaj, SHBA mund të fillojë të vendosë sanksione të tjera ndaj eksporteve ruse të naftës – duke kufizuar më tej shitjet e Rusisë. Ndërkohë, pozita e Kremlinit duket edhe më keq kur bëhet fjalë për gazin. Rusia eksporton gazin e saj nëpërmjet tubacioneve, të cilat aktualisht janë në shërbim të Europës.
Dhe ndërtimi i tubacioneve të reja në vend të tyre do të marrë kohë dhe para, të cilat të dyja janë në mungesë. Eksportimi i gazit nëpërmjet tubacionit nënkupton gjithashtu nënshkrimin e kontratave të reja me blerës të gatshëm.
Dhe pikërisht këtu, situata duket e vështirë për Moskën, pasi Kina aktualisht është i vetmi vend që mund të importojë më shumë gaz rus.
Kjo nuk është një surprizë.
Rritja e kërkesës për gaz të Kinës është ngadalësuar dhe Rusia gjithashtu e bëri të qartë se nuk është një furnizues i besueshëm i energjisë. Kjo është diçka që liderët kinezë nuk do ta harrojnë dhe natyrshëm do të përpiqen të shmangin varësinë nga gazi rus.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk është ekzagjerim të themi se gjërat duken të vështira për sektorin energjetik rus, i cili përfaqëson një të tretën e ekonomisë së vendit, rreth gjysmën e të ardhurave fiskale dhe afërsisht dy të tretat e eksporteve të saj.
Sipas parashikimeve të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), të ardhurat vjetore të Rusisë nga eksportet e energjisë do të bien me më shumë se gjysmën deri në vitin 2030, deri në 30 miliardë dollarë nga 75 miliardë dollarë që para fillimit të luftës në Ukrainë.
IEA beson gjithashtu se deri në vitin 2030, pjesa e Rusisë e gazit të tregtuar globalisht do të ketë rënë në vetëm 15%– në krahasim me 30% në vitin 2021. Përfundimi është i qartë për Moskën: në dekadën e ardhshme, ajo do të humbasë statusin e saj si një globale superfuqi energjetike dhe problemet e Kremlinit nuk do të mbyllen këtu.
Për shkak të sanksioneve, kompanitë ruse të energjisë nuk kanë më akses në financimin dhe teknologjinë e Perëndimit.
Për Kremlinin, ky është një kërcënim ekzistencial. Rezervat e fushave të tyre aktuale të energjisë po shterohen gradualisht, dhe megjithëse kanë fusha të reja në Arktik, zhvillimi i tyre do të kërkojë shuma të mëdha parash dhe teknologji perëndimore të nivelit të lartë.
Duke mos pasur askes në asnjërën prej tyre, prodhimi i energjisë ruse do të shënojë rënie në dekadat e ardhshme.
Së bashku me një rënie të kërkesës për lëndë djegëse fosile ndërsa bota po kalon drejt burimeve të rinovueshme, kjo do të thotë se lufta energjetike që vetë Putini filloi mund të ketë një përfundim të keq për Rusinë.