Rruga si mjeku në Durrës e mori sërish Covid-19

0 393

Në një kohë që Shqipëria ka hequr 99% të masave ndaj pandemisë së Covid-19, një mjek në Durrës është riinfektuar nga Covid-19 dhe tashmë është shtuar tek Infektivi në Tiranë. Mjeku shënon rastin e parë të riinfektimit, duke vënë në dyshim krijimin e imunitetit te personat e shëruar nga Covid-19. Ky rast u raportua nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku B. Gelaj u infektua fillimisht në fillim të marsit nga pacientja 73-vjeçare nga Shënavlashi e cila humbi jetën duke regjistruar dhe viktimën e parë nga Covid-19 në Shqipëri, rreth një javë pas kthimit të saj nga Italia. Më 25 mars, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha lajmin se mjeku i Durrësit u shërua pas rezultateve të dy testeve të njëpasnjëshme për Covid-19 që dolën negative. Pas vetëkarantinimit, Gelaj u kthye në punë, po këtë fundjavë ai është përballur rishtas me virusin, pasi është infektuar nga kontaktet familjare. E bija, e cila është mjeke në pavionin e sëmundjeve të brendshme në QSUT, është infektuar atje duke ia transmetuar edhe prindërve në Durrës.

Vajza e Gelajt ishte pjesë e grupit të mjekëve vullnetarë që shërbyen në Itali kundër Covid-19. Ajo nuk u prek gjatë shërbimit në Itali, por ditët e fundit në vatrën e re që u zbulua në QSUT. Pas kontaktit me të bijën dhe konstatimit pozitiv mjeku infeksionist nuk është paraqitur në detyrë, pranë spitalit të Durrësit. As bashkëshortja e tij nuk ka shkuar në punë, duke shmangur kështu krijimin e vatrave të reja në qytetin e Durrësit. Ky rast vë në dyshim tezën se personat e shëruar nga Covid-19 zhvillojnë antitrupa dhe imunitet ndaj këtij virusi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.