Rreth 1 miliard të rinj janë në rrezik për humbjen e dëgjimit

0 157

Sipas një studimi të ri më shumë se 1 miliard njerëz rrezikojnë të humbasin dëgjimin. Kur bëhet fjalë për muzikën, filmat dhe emisionet, është e zakonshme që adoleshentët dhe të rinjtë të dëgjojnë me zë të lartë dhe për një kohë të gjatë, sipas studimit të botuar të martën në revistën BMJ Global Health.

“Ne vlerësuam se deri në 1.35 miliardë individë të moshës 12-34 vjeç në mbarë botën ka të ngjarë të përfshihen në praktika të pasigurta të dëgjimit dhe për këtë arsye janë në rrezik për humbjen e dëgjimit”, tha autorja kryesore e studimit, Lauren Dillard.

Ekspozimi ndaj dëgjimit me një volum shumë të lartë mund të lodhë qelizat shqisore dhe strukturat në vesh, tha Dillard, duke shtuar se nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, ato mund të dëmtohen përgjithmonë, duke rezultuar në humbje dëgjimi, zhurma në veshë ose të dyja së bashku.

Sipas studimit, praktikat e pasigurta ishin përdorimi i kufjeve, si dhe frekuentimi i vendeve të argëtimit, si koncerte, bare dhe klube.

Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kufizojnë nivelet e sigurta të zhurmës në rreth 85 decibel mbi 40 orë në javë. Nëse dëgjoni 2 orë e gjysmë gjatë një dite, kjo është e barabartë me rreth 92 decibel, tha studimi.

Personat që dëgjojnë shpesh muzikë zgjedhin vëllime deri në 105 decibel. Për fat të mirë, politikat, bizneset dhe individët mund të vendosin masa për të inkurajuar dëgjimin e sigurt dhe për të mbrojtur dëgjimin nga dëmtimi me kalimin e kohës, tha Dillard.

Analiza e studimit ishte rigoroze dhe provat janë bindëse se humbja e dëgjimit duhet të jetë një prioritet i shëndetit publik, tha De Wet Swanepoel, profesor i audioologjisë në Universitetin e Pretorias në Afrikën e Jugut.

“Muzika është një dhuratë që duhet shijuar”, tha Swanepoel, i cili është gjithashtu kryeredaktor i Revistës Ndërkombëtare të Audiologjisë. “Mesazhi është të shijoni muzikën tuaj, por të sigurt.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.