Rrëfimi i trishtë i djalit të radikalit: Ëndrra më e madhe të bëj një kurs futbolli

0 193

Detaje tronditëse zbulohen nga dëshmia e një prej djemve të mitur të Xherxh (Gjergj) Laçit, i cili prej 6 vitesh mbante peng dhe dhunonte familjen e tij.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dosjen hetimore, pjesë e të cilës është edhe dëshmia e një prej djemve të 52-vjeçarit.

Para oficerëve të policisë ai ka rrëfyer se prej 3 vitesh bashkë me vëllanë nuk dilnin më nga banesa, ndërsa tregoi edhe disa episode të dhunës së rëndë që babai ushtronte ndaj nënës së tij, duke i vënë dhe thikën në fyt.

“Prej 3 vitesh babi i tij Xherxh nuk ka lejuar te dalë nga shtëpia ku banonin, atë se bashku me vëllain e mitur dhe mamanë e tij. Babai i tij nuk i ka lejuar te dalin fare nga shtëpia, duke i kërcënuar se ” ai e di me mire, se te tjerët duan t’i vrasin, ndërsa ai ka fituar”. Që pas kthimit te Xherxhit nga Italia, ai prej 20 vitesh nuk ka punuar me dhe se fundmi ka filluar te ushtrojë me shpesh dhe fenë myslimanë. Fenë e ka praktikuar më shpesh 4 muajt e fundit, ku shkonte çdo të premte në xhaminë e Medresesë. Asnjeri prej prindërve te tij nuk punon. Babai ishte i dhunshëm ndaj mamasë së tij, kundrejt te cilës ka ushtruar shpesh here dhune në sy të tyre, duke e goditur me shkop, me shuplaka me grushta, madje i ka treguar se i ka vene dhe thikën ne fyt. Ata jetonin brenda 4 mureve pa energji elektrike, pasi ia kishin ndërprerë. Ata ushqeheshin vetëm kur i çonin ushqim dhe ua linin tek dera familjarët si xhaxhai nga Dibra, gjyshi ose daja i tij”, thuhet në dosjen hetimore. Ndër të tjera djali tha se ai dhe vëllai i tij ishin në gjendje të rënduar psikologjike (15 dhe 17 vjeç).

Më tej në dosje thuhet: “Babai mbante thika në shtëpi, e herë pas here kur vinte rrotull nëpër shtëpi i mbante të varura ne brez.”

Po ashtu djali shprehet se ëndrra e tij më e madhe ishte që t’i rikthehej jetës normale si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë e të shkojë në shkolle dhe të bëjë një kurs për futboll.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe vëllai tjetër, i cili ka pohuar se babai i dhunonte, që kur ishin të vegjël. Po ashtu thuhet se i vetmi person që mund të dilte pak herë nga shtëpia, ishte një prej djemve, që shkonte dhe karikonte fshehurazi një telefon që ia kishin dhënë familjarët e tyre.

Sakaq, vetë Laçi, gjatë marrjes në pyetje, ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij si dhe dy djemtë, Albanin dhe Sulltanin, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. 50-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të Policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për t’i ruajtur nga e keqja.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.

Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Tanimë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.