Rrëfimi i Ben Blushit: Shqipëria e prapambetur se nuk ka bërë asnjë luftë

0 144

Ndryshe nga shumë shkrimtarë, të cilët nga letërsia hynë në politikë, për Ben Blushin ndodhi e kundërta. Nga politika hyri në letërsi. Personazhet e tij, që jetojnë kudo në Shqipëri, kërcënohen nga puna e tyre, jetët e tyre dashurore, ekulibri, identiteti i tyre. Ata kanë ardhur gjithmonë tek ne, gjatë një momenti vërtetësie: rrëfimi, çlirimi, ankthi dhe magjepsje. Këto ndjenja mbeten të pakuptueshme dhe kaq të pashpjegueshme, sa besoj se mjafton…!

Në këtë intervistë për gazetarin Reldar Dedaj për Liberale.al, Ben Blushi vjen aq ndryshe sa në rreshtat që vijojnë, vendosem që turbullirat e ndryshme nuk do t’i trajtojmë si ca dosje të shkëputura, e as në mënyrë sistematike. Por, ecuria jonë do të jetë më tepër si ecuria e dy vegjeluesve nate në një kopsht, të nesërmen e stuhisë, ndërkohë që paralajmërohet një stuhi tjetër.

Tregojnë se letërsia, në ditët e sotme, e ka humbur lexuesin. Ju, z.Blushi si e përjetoni këtë fakt?

Në radhë të parë, shpresoj që miqtë tuaj të kuptojnë diçka dhe për këtë shkak edhe ju të mbeteni i kënaqur, nga efekti i tyre. Vijmë tek letërsia. Letërsia e sotme, kudo në botë, po ndryshon shumë shpejt. Letërsia në vetvete është një pasqyrë. Ajo është pasqyrë e mënyrës se si jeton njeriu. Sot, njeriu nuk jeton më si përpara 100 vitesh. Jeta ka një ritëm më të shpejtë dhe gjithçka që bëjmë sot, duke nisur që nga të menduarit, të vepruarit, punët e përditshme dhe deri tek udhëtimet ndodhin me një shpejtësi më të madhe se përpara një shekulli apo qoftë edhe përpara 40 vitesh. Për shembull, një gjellë gatuhet dhe hahet sot më shpejt, për shkak të teknologjisë së gatimit dhe kohës së kufizuar që kemi për t’u ushqyer. Nëse një roman i mirë, klasik, shpjegon për tre faqe se si u ngrit një njeri nga gjumi, çfarë ëndrre pa dhe çfarë mendoi duke bërë dush apo çfarë veshi pasi u zgjua, sot gjithë ky proces mund të përshkruhet me dy fjali ose me asnjë fjali. Nga krevati del në rrugë dhe këtu nis aksioni, pra fabula e letërsisë moderne.

Nuk dua të zgjatem, por ka disa arsye pse ndodh kështu. Letërsia sot është bërë shumë e konkurrueshme. Njeriu i sotshëm ka disa dhjetëra mundësi për të konsumuar në kohën e lirë. Ai mund të shkojë në Facebook dhe të bëjë muhabet, mund të shkojë në Instagram dhe të këqyri jetën e të tjerëve, mund të shkojë në kinema, mund të shohë një ndeshje futbolli në televizion, mund të shkojë për weekend, por edhe mund të lexojë një libër. Njëqind vite më parë mundësitë e tjera nuk ekzistonin. Nuk kishte Facebook, nuk kishte televizion, nuk kishte futboll masiv edhe nëse kishte weekend-e, ato ishin vetëm për të pasurit. Jeta ishte shumë e kufizuar dhe letërsia ishte e vetmja dritare për të njohur botën dhe njerëzit e tjerë, jashtë kohës së punës.

Imagjinoni një botë pa televizion, pa internet, pa kinema dhe pa stadiume. Çfarë kohe e artë për shkrimtarët. Në këtë kohë shkrimtarët influenconin gjithçka dhe këdo, duke filluar që nga perandorët, ushtarët, të varfrit, vajzat e reja dhe pleqtë. Shkrimtarët i krijonin modelet. Çdo njeri kërkonte t’i përngjante një personazhi që adhuronte. Sot, kjo nuk ndodh. Shkrimtarët nuk janë më ndikues të vetëm, por punën e tyre e bën dhe një koreane në Instagram dhe një këngëtar në televizion dhe një thashethemexhi në Facebook, por edhe një futbollist sa herë bën gol.

Duke qenë kaq e konkurrueshme, letërsia e ka të nevojshme të ndryshojë, siç edhe ka ndryshuar. Unë them se ajo është bërë më e shpejtë, më e bukur dhe më e drejtpërdrejtë.

Për t’ju lexuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por edhe të psikoanalizës, historisë, të letërsisë dhe të gjuhësisë…?

Nuk e di. Unë nuk jam as filozof, as psikanalist, as historian dhe as gjuhëtar. Unë lexoj histori për kënaqësinë time dhe e përdor atë si një peizazh në të cilin vendos personazhet e mi. Më pëlqen shumë të ndërthur histori të vjetra me histori të reja, sepse kjo i jep më shumë dimension letërsisë që shkruaj dhe e intrigon, besoj, lexuesin, i cili në një libër mund të lexojë dy ose tre ngjarje që zhvillohen paralelisht ose janë zhvilluar në të shkuarën duke ndikuar në të tashmen.

Në gjuhësi kam qenë gjithmonë një nxënës i dobët, sepse jo vetëm nuk kam pasur durim, por gjuhësia ishte një shkencë e ngurtë, pa fantazi njëlloj si matematika dhe unë nuk ndjehem rehat kur nuk mendoj dot për nesër. Gjuhësia nuk ka të nesërme, por vetëm të shkuar. Prandaj, edhe Stalini ca kohë mendoi se mund të kontribuonte si gjuhëtar, por shkrimtar nuk guxoi të bëhej.

Psikanalist? Ka shumë njerëz që i kam ndihmuar, duke ju bërë terapi profesionale, por natyrisht nuk jam një psikanalist dhe nuk mendoj se personazhet e mi kanë një karakter të theksuar depresiv. Ata mund të jenë të pazakonshëm në shumë raste, por nuk janë të sëmurë, nuk kurohen dhe megjithëse vrasin apo vdesin, apo bëjnë dëme, sërish janë njerëz normalë që kanë nevojë për lumturi, por jo për ilaçe dhe kura.

Ju, thoni se duhet të kesh nocione të filozofisë për të më lexuar. Nuk besoj dhe ju lutem mos i trembni lexuesit e mi me këtë konstatim, sepse librat e mi lexohen kollaj dhe me kalimin e kohës fjalitë e mia janë shkurtuar, për të mos lodhur njeri. Kini parasysh që lexuesit e sotshëm tremben shpejt kështu që mos i lodhni.

A keni kujtime prej frikës?

Nuk kam nevojë të kem kujtime për të njohur frikën. Njeriu normal dhe modern ka frikë gjithë kohën. Frika nuk është pasojë e ngjarjeve të vogla, si për shembull; mos të më shtypi një makinë kur blej bukë, ose mos më ikën autobusi, ose mos bije nga avioni, ose mos thyej këmbën duke vrapuar. Frika është një ndjenjë dyshimi që e shoqëron njeriun vazhdimisht. Frika është pasiguria që ka njeriu për të arritur ose tejkaluar arritjet e njerëzve të tjerë. Sepse, ka frikë, ai dyshon tek vetja. Sa herë dyshon ti ke frikë. Frika është një nga armët kryesore që ka njeriu për të arritur suksese apo për të ndryshuar statusin e tij shoqëror. Një njeri që nuk ka frikë nga tallja apo përqeshja, pra nga humbja e një statusi të respektuar në shoqëri, mund të bëhet qesharak duke bërë skena apo krijuar situata që shoqëria i quan naive ose primitive ose të papërshtatshme. Një njeri që nuk ka frikë nga injoranca e tij, nuk lexon, nuk mëson, nuk merr asnjë zanat, nuk bën asnjë punë dhe praktikisht bëhet i pavlefshëm për vete dhe për të tjerët.

Pra, në një kuptim frika është pjesë e arsenalit tonë jetësor dhe pengesa kryesore e lumturisë. Raporti mes lumturisë dhe frikës është një temë shumë e gjatë, por ajo që mund të them është se në letërsinë time të gjithë personazhet kanë frikë, kanë pasiguri dhe askush nuk është i lumtur në mënyrë konstante. Frika është e përhershme, lumturia është e përkohshme.

Shpëtimi tek veçimi, a s´është njëlloj si të shpëtosh prej fatit? Prej fatit tuaj të shkrimtarit, p.sh?

Nëse e kuptoj mirë pyetjen tuaj, ju doni të dini nëse izolimi e ndihmon shkrimtarin apo jo? Mendoj se jo. Shkrimtari është i izoluar kur punon, por duhet të jetë social, sepse gjithçka që ai shkruan, motivet dhe karakteret dalin nga eksperienca e tij dhe ngjarjet që ka parë apo dëgjuar. Teorikisht një njeri që nuk del nga shtëpia nga lindja deri në vdekje, nuk mund të bëhet shkrimtar. Kjo sepse shkrimtari përcjell ato që jeton në komunitet. Nuk di a e kuptova pyetjen dhe nëse nuk e kam kuptuar i thoni miqve tuaj që kjo ndodh herë pas here. Pra, herë pas here, jam i pakuptueshëm, por jo gjithmonë për fajin tim.

Po, cili duhet të jetë qëndrimi i një intelektuali në marrëdhëniet me veprimin politik?

Nuk besoj se ka rregull që përcakton çfarë duhet të bëjë një intelektual në raport më politikën në përgjithësi. Unë vetë nuk kam një përvojë të mirë në këtë rast. Unë jam marrë me politikë në mënyrë shumë aktive madje agresive dhe nuk them dot se kjo e ka ndihmuar letërsinë time. Shumë njerëz, që nuk kanë qenë dakord me pikëpamjet që kam pasur dhe kam, më kanë paragjykuar edhe si shkrimtar dhe kjo ndodh ende edhe sot. Kështu që ata shkrimtarë që nuk janë shprehur fare për politikë, kanë nganjëherë më shumë fat. Edhe kur shkruajnë keq, njerëzit thonë, s’ka gjë se është burrë i mirë. Unë nuk kam pasur fatin të marr komplimente pa bërë asgjë. Shumicën e rasteve kam marrë sharje edhe kur kam bërë atë që duhej. Kështu që këshilla më e mirë në këto raste është mos e thuaj kurrë atë që mendon. Natyrisht kjo nuk vlen për mua.

A ekziston diçka që ju shqetëson më shumë se çdo gjë sot për letërsinë shqipe?

Nuk më shqetëson asgjë për letërsinë shqipe dhe nuk mendoj fare për të. Që kjo të mos duket si një injorim po e shpjegoj shkurt. Letërsia është një akt individual. Do të thotë që secili shkrimtar e bën vetë ose nuk e bën. Shkrimtarët nuk mblidhen një herë në vit dhe vendosin çfarë do shkruajë filani dhe çfarë do shkruajë fisteku. Kështu që nuk kam pse mendoj për letërsinë shqipe si një komunitet njerëzish që shkruajnë shqip në të njëjtën kohë. Edhe sikur asnjë shqiptar të mos shkruante asnjë libër për dhjetë vite rresht mendoj se ky nuk do ishte një problem për vendin. Unë konsumoj letërsi dhe atë e ndaj në letërsi të mirë, të keqe, interesante apo të vjetër. Mund të jesh një shkrimtar danez dhe bën letërsi të mirë, ashtu siç mund të jesh një shkrimtar kosovar dhe bën letërsi të keqe. Është njëlloj si me futbollin. Ne shohim futboll, por nuk shohim detyrimisht futboll shqiptar. Sikur të mos kishte fare ekipe shqiptare, përsëri nuk do të ndodhte asgjë. Ne prapë do shikonim futboll.

Jeni një nga shkrimtarët që interesohen për historinë, që i jepni një vend në vepër, jo vetëm si një referencë e thjeshtë, por si një levarashmëri e vazhdueshme. A ka në të arsye filozofike, sipas interesit tuaj?

Mendoj se ju përgjigja më lart kësaj pyetje. Historia është një peizazh në të cilin kullotin personazhet e asaj kohe qofshin, të njohur apo të panjohur. Imagjinoni sikur dikush ju fton në një vend të tillë, ose virtualisht në një kohë të shkuar dhe ju jeni në tavolinë me të, le të themi me një ushtar turk në Elbasan, në vitet 1800, ose me një princ mesjetar në vitet 1400, ose jeni komshi me një nga firmëtarët e Pavarësisë. Pra, ajo që po them është se; nëse ju futeni në këtë peizazh, ju mund të ndikoni që historia të ndryshojë. Këtë përpiqem të bëj edhe unë. Të ndërthur të shkuarën me të tashmen, duke i ndryshuar të dyja. Për shembull, imagjinoni sikur ju, të ishit në Paris, ditën kur Avni Rustemi vrau Esat Toptanin në vitin 1920 dhe meqë keni marrë vesh se do bëhej ky atentat, ju krijoni një rrethanë, sipas të cilës, atentati dështon. Esat Toptani nuk vritet, por kthehet në Shqipëri dhe ndryshon rrjedhën e historisë, duke u bërë Mbret në vend të Zogut dhe ndoshta duke bashkëpunuar me Hitlerin dhe jo me Musolinin, siç bëri Zogu. Nga ky bashkëpunim i ngushtë, Shqipëria do përfitonte shumë të ardhura, shumica e shqiptarëve do mësonin gjermanisht në shkolla dhe universitete, administrata shqiptare do zhvillohej dhe këtu, në një vend mik, me pagë të ulët të fuqisë punëtore, do ngriheshin disa uzina për prodhimin e armëve, tankeve, avionëve dhe makinave gjermane nga Mercedes Benz-i deri tek Volkswagen-i. Hitleri do ta konsideronte Shqipërinë një aleat arian, ndoshta të vetmin në Evropë dhe si mbështetje do i merrte Kosovën Serbisë, Çamërinë dhe Janinën Greqisë, Ulqinin, Tivarin, Plavën e Gucinë, Malit të Zi dhe për pasojë do krijonte Shqipërinë si vendin më të madh e më të zhvilluar në Ballkan. Si do ishte historia e Shqipërisë, nëse kjo që po them, do kishte ndodhur? Nuk e dimë. Por do ishte interesante ta dinim. Ja pra që historia nuk kthehet pas për ta rindërtuar këtë ngjarje, por letërsia mund të kthehet si të duash dhe të vendosë që Esat Pashë Toptani nuk vdes, por përkundrazi, ndërton një fabrikë Mercedes-i diku në Kashar ku kishte pronat e tij. Kjo është letërsia. Fuqia e imagjinatës.

Cilët janë shkrimtarët që ju vozisni më shpesh në jetën tuaj?

Nuk ka shkrimtarë pas të cilëve jam fiksuar. Unë lexoj shumë më pak se ç’duhet dhe shumë më pak se çdo doja. Kam gati 10 vjet që nuk kam mbaruar akoma asnjë libër dhe shumica e librave që filloj kanë ngecur pa kaluar gjysmën. Kjo ndodh për shkak të kohës, por edhe për një shkak tjetër. Në shumë pak raste më intereson si mbaron një libër, kush vdes në fund apo kush fitoi në një konflikt, ajo që më intereson më shumë është mënyra e të shkruarit. Kur e shijoj atë sa duhet e lë librin, sepse i kam marrë maksimumin dhe kam arritur të njoh shkrimtarin. Shkrimtari i fundit të cilit i kam mbaruar një libër deri në fund dhe që më ka magjepsur me stilin e tij është Somerset Mom. Librat e tij i mbaroj gjithmonë.

Në shumë autorë ekziston ideja se shpeshherë ata i kap një lloj “krize” në lidhje me librat e tyre, ju personalisht, jeni gjendur në të tillë ndjesie dhe kjo aksh gjë, mos ju ka bërë të ktheheni kundër vetë materialit tuaj dhe të urreni librin që keni bërë.

Nuk më ka ndodhur të urrej ndonjë nga librat e mi, por më ka ndodhur të mos i mbaroj. Po e them për herë të parë që kam disa libra që nuk i kam botuar, se nuk i kam mbaruar për një numër arsyesh. Kjo nuk do të thotë se je në krizë, por do të thotë se diçka të ka kushtëzuar kohën ose mendimet e tua ose të dyja bashkë. Zakonisht krizat prodhojnë libra, por librat nuk prodhojnë kriza.

A ka gjithmonë ndonjë krizë për çdo libër?

Nuk e di. Nëse një libër botohet do të thotë që ai nuk ka kaluar asnjë krizë.

Një shkrimtar origjinal, është produkt i një vetëdije të re shoqërore-filozofike apo thjesht, produkt i një vetëdije gjuhësore? Si qëndron puna në rastin tuaj?

As këtë përgjigje nuk e di. Raca njerëzore prodhon talent pa pushim. Shumë rrallë ka njerëz që nuk kanë asnjë talent. Por në kohë të ndryshme, njerëzit me talente, bëjnë punë të ndryshme. Për shembull, një shkrimtar i viteve ‘30-të që jetonte duke parë të atin që mbillte grurë, në një kohë tjetër si kjo që ka ardhur, mund të ishte bërë biznesmen dhe të shiste grurë, kjo sepse për nevojat e saj shoqëria stimulon zanatet për të cilat ajo ka më shumë nevojë. Nëse, të ishe shkrimtar apo të bëje poezi në vitet ’70-të në Shqipëri, ishte shumë në modë, sot nuk është më. Sot, ka më pak shkrimtarë se para 50 vitesh dhe pothuajse nuk ka më poetë përveç vajzave të gjimnazit, por edhe këto të fundit janë në TikTok. Shoqëria po i vret ngadalë poetët dhe e dini pse? Sepse nuk ka më nevojë. Pra nuk vdes nevoja për të shkruar, por po vdes nevoja për të rrëfyer në një mënyrë që shoqëria e konsideron të vështirë, të ndërlikuar dhe relativisht të vjetër. Poezia më e mirë sot është proza, siç ka qenë dikur proza, poezia më e keqe.

Mos po kërkonit luftë kur shkruat romanin “Të jetosh në ishull”?

Sa mirë do ishte. Gjithmonë, kam menduar se një nga arsyet që Shqipëria ka mbetur e prapambetur është se nuk ka bërë asnjë luftë. Do me thënë, nuk ka pushtuar asnjë vend tjetër dhe nuk ka luftuar as kur është pushtuar me përjashtime të rralla, në vitet ’40-të të shekullit të kaluar. Por edhe në këtë rast, pra gjatë Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar as ka luftuar as ka pushtuar ndonjë shtet tjetër. Sikur kjo të kishte ndodhur gjërat do ishin ndryshe. Shqipëria për fat të keq, pas Moldavisë që është pushtuar nja 200 herë, duhet të jetë vendi që është pushtuar më shumë nga pothuajse të gjitha perandoritë, duke nisur nga Roma, Osmanët dhe Gjermania, pa llogaritur serbët dhe grekët. Rusia që e urrejmë kaq shumë nuk na ka pushtuar asnjëherë, siç ka pushtuar shumë herë Moldavinë.

Të vijmë tek romani “Të jetosh në Ishull”.

Ky libër që më ka sjellë shumë kënaqësi, merr përsipër të shpjegojë sesi u konvertuan shqiptarët nga të krishterë në myslimanë në shekullin e XVII e më pas dhe, sesi dy fetë u mësuan të jetojnë bashkë nën një çati, në një fshat dhe në një vend. Aty ka shumë elementë historikë që nga koha e Skënderbeut, nga Ali Pashë Tepelena që e kam personazh e deri tek djegia e Voskopojës në vitin 1769 që është një fakt real. Kështu që nuk kam dashur të shkaktoj një luftë dhe nuk di pse e mendoni këtë gjë, por kam shpjeguar luftëra të vogla të cilat nuk arritën të bëjnë një luftë të madhe dhe të na shpëtonin nga pushtimi Osman për 500 vjet, që në fakt është fatkeqësia e të gjitha fatkeqësive tona si komb.

Heroi juaj duhet të jetë gjithmonë i zemëruar, i mbytur me probleme, apo duke u ankuar?

Personazhet e mi nuk janë njerëz të lumtur. Madje, ata nuk janë të lumtur, edhe kur arrijnë atë që kanë dashur. E dini pse? Sepse ata e dinë, siç e dimë ne që jemi njerëz realë dhe jo personazhe të sajuar, se pas çdo suksesi të vogël do fillojë një problem dhe se asnjë problem i madh nuk zgjidhet dot deri në fund. Kjo është koha ku jetojmë. Lumturia është zgjidhja e problemeve të vogla dhe problemet e mëdha të kohës sonë si polarizmi social, ngrohja globale, fetarizmi i kombeve, dobësimi i demokracisë, duken të pazgjidhshme.

Bota është e ngopur me demokracinë dhe po kërkon diçka më shumë. Çfarë rendi është në pritje? Çfarë demokracie do kemi pas 100 vitesh? A duhet të votojmë për të vendosur kush na drejton? A garanton demokracia paqe sociale? A po i shërben demokracia vetëm disave në kurriz të disa të tjerëve? A po kthehet demokracia në një zanat të elitave të pasura në dëm të të varfërve? Si duhet të ndryshojë demokracia për të garantuar më shumë barazi dhe lumturi? Kjo është një përgjigje që nuk e ka asnjë filozof, por që popujt do e gjejnë gradualisht, duke dështuar, duke luftuar, duke pushtuar dhe duke ndryshuar. Shikoni çfarë po ndodh. Amerikanët po e cenojnë demokracinë e tyre, brazilianët po e sulmojnë, Bashkimi Evropian po e mbron, Rusia po e dhunon, India po e shijon, Kina po e mbyt, Turqia po e frenon. 30 vjet më parë Bota ishte më demokratike se sot.

Për fat të keq demokracia po kthehet në një burokraci të lodhshme, e cila po pengon zhvillimin. Arabët nuk kanë demokraci, por sot janë më të lumtur se evropianët. Kinezët nuk kanë demokraci, por punojnë më shumë se indianët dhe jetojnë më mirë se rusët. Cilësia e demokracisë është problemi më i madh i kohës ku jetojmë: Si të përmirësojmë demokracinë, duke e kthyer në një instrument përparimi.

Ju jeni shkrimtar, në librat tuaj ka heronj, që janë gjithmonë në transformim. Ju si jeni në krahasim me këta. Si mund ta përshkruani vetveten?

Si një njeri që mendon gjithë kohën për të shkruar edhe kur bën një punë tjetër apo edhe kur nuk bën asnjë punë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.