Rama dakord me Kim për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK:KLP të mos influencohet nga askush

0 134

Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar pas ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.

Kreu i qeverisë në një postim në “Twitter”, thotë se është plotësisht dakord me Ambasadoren Yuri Kim, ndërsa shton se drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk e zgjedh as qeveria, as foltorja, as ambasada, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Ai i bën thirrje anëtarëve të KLP-së që të mos dëgjojnë askënd por të vlerësojnë kandidatët pa u influencuar nga askush.

“Jam plotësisht dakord me Ambasadoren Yuri Kim dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!

Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkroi Rama.

Më herët Kim tha se procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK nuk duhet të ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.