Tre persona të një familje, babai dhe dy djemtë e tij, janë në kërkim nga forcat e policisë të Krujës pasi po përshtatnin dy ambiente në pronësi të një emigranti në Greqi në “shtëpi bari”, ku kultivoheshin bimët e marijuhanës.
Materialet e nevojshme u gjetën fillimisht nga efektivët e policisë në brendësi të një furgoni, ku u sekuestruan pajisje të shumta elektrike, si llambat e nevojshme për ngrohjen e ambientit.
Në ambientet e përshtatura, që ndodheshin në fshatin Derven, pikërisht në lokalitetin e njohur si “Kodër Dushk”, policia gjeti dhjetëra llamba të tjera, si dhe 206 bimë narkotike, të kultivuara në vazo.
Tre personat e akuzuar, të cilëve emigranti i kishte besuar mbikëqyrjen e pronës, janë tashmë në kërkim. Bëhet fjalë për shtetasin Qerim Xeka dhe djemtë e tij Kledi dhe Lutfi Zeka.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.