Prokuroria sekuestron dokumentet në Durrës. Në Tiranë urdhëron ndalimin e shembjeve të banesave

408

Prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit janë vënë në lëvizje për hetimin e përgjegjësive lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në Durrës ku dëmet e tërmetit ishin më të mëdha, si pasojë edhe e ndërtimeve pa cilësi, Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentet në zyrën e urbanistikës. Këto dokumente, pritet të ballafaqohen me objektet e shembura nëse janë respektuar ose jo lejet e ndërtimit. Gjithashtu do të verifikohet dhe zbatimi i kodeve të ndërtimit për të gjitha ndërtesat që u shembën apo që kanë marrë dëme të pariparueshme. Mësohet se Prokuroria ka sekuestruar dokumentet e 10 viteve në fundit. Ndërkohë pas datës 26 institucionet e Bashkisë së Durrësit dhe autoritet kanë vijuar me shembjen e godinave të pabanueshme.

Ndërkohë në Tiranë, Prokuroria i ka dërguar një shkresë Bashkisë dhe Policisë së Shtetit. Në dokument kërkohet që të mos vijohet me procedurën e shembjes së ndërtesave të pabanueshme dhe të dëmtuara rëndë nga tërmeti.

Arsyeja e kërkesës lidhet me mbledhjen e provave. Prokurorët verifikojnë zbatimin e lejeve të ndërtimit dhe zbatimin e kodit të ndërtimit. Në banesat me më shumë probleme vihet re se ka shkelje të ndryshme. Shembja e tyre zhduk dhe provat që i duhen prokurorisë për të nxjerrë përgjegjësit e ndërtimeve pa standarde.

Në dokumentin e Prokurorisë së Tiranës, ndër të tjera thuhet se: “Për nevoja të kryerjes së veprimeve hetimore në funksion të procesit penal kërkojmë.

1- Listën e plotë të ndërtimeve (banesave) të evidentuara nga ana juaj si të prekur nga tërmeti dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime

2- Për çdo lloj situate në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit, të njoftohet paraprakisht Prokuroria e cila vë në dispozicion grupin hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve.

3- Dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti”.

Kërkesa është firmosur nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj, e cila i ka lënë afat bashkisë deri më 5 dhjetor që të depozitojë të gjithë informacionin mbi këto ndërtesa.

Të dhënat paraprake zyrtare, për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, flasin për 7900 banesa dhe pallate te dëmtuara. Tirana dhe Durrësi janë dy zonat më të prekura nga tërmeti, përfshirë dhe qytezën e Thumanës. Ndërtimet e shumta që u dëmtuan, janë bërë pjesë e një hetimi të nisur nga tre prokuroritë, ajo e Kreyqtetit, Durrësit dhe Prokuroria e Krujës për ngjarjet në Thumanë. Prokuroritë po hetojnë për tre veprat penale; “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.