Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se lagja e re e Kombinatit, e cila do të ndërtohet për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, është projekti më ambicioz i 100 viteve të Tiranës Kryeqytet. Gjatë prezantimit të planit për KombinArt, rindërtimin e Kombinatit, Veliaj shtoi se në këtë lagje do të ndërtohen apartamente të reja falas për të gjitha familjet e prekura, duke u shndërruar në një potencial zhvillimi për akomodimin e rreth 21 mijë banorëve. Aty do të ketë edhe 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore, si dhe 5 sheshe publike me shërbime të reja: Sheshi i Teknologjisë, Sheshi i Muzeut, Sheshi Universitar, Sheshi Garibaldi dhe Sheshi i Gastronomisë.
Kryebashkiaku theksoi se përmes këtij projekti do t’i jepet zgjidhje jo vetëm strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti, por edhe familjeve të tjera. “Ky projekt përfshin 1.5 mln metra katror ndërtim. Është ndoshta ndërtimi më ambicioz i 100 viteve të Tiranës kryeqytet, ku do të akomodojë 21.534 njerëz. Për ironi dhe për rastësi të fatit është ekzaktësisht sa numri i atyre që mund të ulen në Arenën Kombëtare. Sigurisht, jo të gjitha do të jenë shtëpi për tërmetin sepse një nga mësimet është se nuk duhet të krijojmë një “geto”. Ata që do të marrin shtëpitë e para janë vetëm 1/3 e një lagjeje, që potencialisht do të shkojë deri në 21 mijë banorë. Do të fillojë me fazën e parë me 2292 apartamente për 8500 qytetarët e Kombinatit të prekur nga tërmeti dhe pastaj për ta hapur ndaj tërmetit apo 25 mijë vetave që tipikisht çdo vit transferohen në Tiranë”, tha ai.
Teksa renditi edhe një sërë investimesh të tjera që po kryhen në Kombinat si projekti për ujërat e zeza, rrjetet e rrugëve etj, Veliaj theksoi se pavarësisht një minorance të zhurmshme, ky projekt do të sjellë më shumë zhvillim për zonën. “Na duhet konsensus maksimal. Sigurisht, për projekte si Pazari, si Sheshi për të cilat do ketë gjithmonë një minorancë të zhurmshme, por bashkë me deputetët, me të gjithë ata që janë aktivistë duhet të synojmë konsensus maksimal. Pavarësisht se do ketë gjithmonë njerëz kundër, ne të kemi një masë që e do progresin dhe që arrin të kuptojë që çdo metër katror në ndërtesat e reja dhe lagjet e reja, do ketë më shumë vlerë”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkaiku theksoi se pas 3 mijë kompensimeve të para, javën tjetër do të miratohen edhe 3 mijë kompensimet e dyta për familjet më dëme të lehta. “Ne kemi kaluar 3 mijë kompensimet e para për ata që janë prekur me dëmtime të lehta dhe 200 shtëpitë e para për ata që janë dëmtime të klasës DS4 dhe DS5, të cilëve do t’ua bëjmë shtëpitë individuale nga e para. Një pjesë e mirë janë në zonën e Kombinatit, sidomos ato që janë ndërtuar në kodra dhe që kanë qenë shumë më jorezistente ndaj tërmetit. Jam i lumtur që javën tjetër do të kalojmë edhe 3 mijë pagesa të tjera dhe shkojmë në 6 mijë, duke iu afruar fundit për pagesat cash”, u shpreh ai.
Veliaj nënvizoi se puna do të vijojë dhe për rindërtimin e pallateve, ndërsa theksoi se ekspertët do të vendosin dhe për prishjen e godinave të dëmtuara. “Sot kemi një lajm të mirë, por për çdo lajm të mirë ka edhe një lajm që është emocionalisht i ngarkuar, sepse fakti që do të bëjmë shtëpi të reja do të thotë që disa shtëpi të vjetra do të rrëzohen. Kjo do të jetë një javë e ngarkuar emocionalisht, do të marrim vendime për rreth 49-50 ndërtesa, që sipas ekspertëve mund të prishen. Janë 49 ndërtesa që jo vetëm kanë kaluar testin e të kontraktuarve, inxhinierët që do të vendosin firmën e tyre dhe do të jenë përgjegjës para ligjit për atë vendimmarrje. Momentalisht, po kalojnë edhe filtrin e Institutit të Ndërtimit, dhe këtë javë do të fillojnë të prezantohen publikisht live në Këshillin Bashkiak, që secili të ketë garancinë maksimale, të shohë modelin 3D, të shohë analizat si kanë dalë nga goditjet e betonit. Të sigurohemi që kemi një konsensus sepse pavarësisht ngarkesës emocionale të largimit nga shtëpia e fëmijërisë apo shtëpia ku shumë njerëz kanë kujtime, po shkojmë në një hapësirë më të mirë, që ka një vlerë më të madhe financiare dhe që është shumë më dinjitoze për të ardhmen”, nënvizoi Veliaj.