Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi artistin, muzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Gjovalin Lazri me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të talentit të spikatur muzikor, të mjeshtërisë së lartë të interpretimit si violinçelist, si dhe me mirënjohje për kontributin e veçantë dhënë gjatë punës plot përkushtim si drejtues i Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ në fushën e pedagogjisë artistike për formimin profesional të artistëve të rinj”.
“Me violinçelin e tij Profesor Lazri na ka dhuruar kënaqësi artistike dhe estetike, por mbi të gjitha mesazhe njerëzore, të cilat na kanë ndriçuar duke ndryshuar pozitivisht përditshmërinë e jetës sonë, por edhe duke na bërë optimist për të ardhmen”,- theksoi kreu i shtetit.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë artistë dhe personalitete të muzikës shqiptare, Kreu i Shtetit falënderoi Mjeshtrin Zhani Ciko për prezantimin e veprimtarisë së spikatur të Profesor Gjovalin Lazrit dhe shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga figurat e shquara të muzikës sonë kombëtare.
Pjesë nga fjala e Presidentit Ilir Meta
“Më vjen keq që Profesor Lazri nuk është këtu i pranishëm fizikisht, dhe me këtë rast dua t’i uroj sa më shumë shëndet dhe ta ketë jetën sa më të gjatë, por jam vërtet i lumtur për ndjenjën e mirënjohjes që ekziston te studentët dhe kolegët e tij për të gjithë atë kontribut madhor që ka dhënë! Me violinçelin e tij Profesor Lazri na ka dhuruar kënaqësi artistike dhe estetike, por mbi të gjitha mesazhe njerëzore, të cilat na kanë ndriçuar duke ndryshuar pozitivisht përditshmërinë e jetës sonë, por edhe duke na bërë optimist për të ardhmen. Muzika është magjike dhe universale, sepse ajo prek telat e shpirtrave tanë! Ajo mund të ndryshojë botën, sepse ka aftësinë të ndikojë e të ndryshojë shpirtin njerëzor. Muzika i bashkon dhe i bën më të afërt njerëzit e ndryshëm, dhe në të njëjtën kohë e bën shoqërinë tonë edhe më të harmonishme.
Siç ja ka arritur edhe Profesor Gjovalin Lazri, me shumë sukses. Ndosha ky ka qenë misioni hyjnor i muzikës që e shtyu, e nxiti dhe e frymëzoi përpara 70 viteve Profesor Gjovalin Lazrin që t’i përkushtohej plot pasion e përjetësisht muzikës dhe violinçelit. Liceu Artistik ‘Jordan Misja’ do t’i shndërronte ëndrrat e tij në një realitet shpirtëror dhe profesional të admirueshëm, së bashku me kolegët e tij, artistët e mëdhenj Tish Daija, Robert Radoja, Zhani Ciko e shumë të tjerë.
Profesorët e parë të Liceut ditën mjaft mirë t’ia dallonin talentin dhe të ushqenin te ai dashurinë e përjetshme për violinçelin. Më pas, studimet në universitetet e Tiranës dhe të Pragës do të formonin te Gjovalin Lazri një artist të përmasave kombëtare. Me këtë rast, dëshiroj që si President të vlerësoj dhe të shpreh nderimin dhe respektin institucional, ndaj të gjithë plejadës së mësuesve dhe drejtuesve të kahershëm të Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ ndër dekada të tëra! Nga mësimdhënia, përkushtimi, mendjet dhe duart e tyre kanë dalë qindra e mijëra kompozitorë, instumentistë, dirigjentë, këngëtarë, valltarë e piktorë, të cilët kanë arritur të bëjnë emër edhe në skenat më të mëdha të Europës dhe të botës. Është pikërisht kjo plejadë që i fali dhe i dhuroi Shqipërisë sonë një kulturë të re artistike, shpirtërore, një botë të madhe e muzikore për bijtë dhe bijat e saj, ku padyshim Profesor Gjovalin Lazri luajti rolin e tij të jashtëzakonshëm.
Në këto shtatë dekada të jetës dhe veprimtarisë së tij të vyer artistike, Profesor Gjovalin Lazri ka lënë gjurmë të shndritshme artistike në jetën solistike e koncertale, në mësimdhënien e tij pedagogjike dhe drejtimin e Liceut Artistik ‘Jordan Misja’, të cilat ne vazhdojmë t’i ndiejmë, t’i prekim akoma dhe nga të cilat duhet të frymëzohemi më shumë për të ardhmen. Ai asnjëherë nuk reshti së kontribuari profesionalisht dhe qytetarisht për shoqërinë dhe edukimin e brezave më të rinj. Ai vazhdon të mbetet një thesar prej të cilit të gjithë nxënësit e dikurshëm të tij, kolegët pedagogë dhe drejtuesit e mëvonshëm të Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ marrin shembull dhe frymëzohen. Prandaj ndihem i nderuar që ta vlerësoj këtë artist të rrallë e të shquar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, duke i uruar edhe njëherë shëndet dhe jetë sa më të gjatë dhe që të shkëlqejnë sa më shumë nxënësit e tij