PD kundër hapjes së listave: Jo tani, nëse veproni prishim marrëveshjen e Reformës Zgjedhore

0 366

Partia Demokratike është kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor një vit para zgjedhjeve parlamentare. Përmes një deklarate shpërndarë për mediat, selia blu thotë se ndryshimi i sistemit kërkon reformim të plotë të sistemit kushtetues. Kjo gjë nuk mund të ndodhë tani për disa arsye duke akuzuar shumicën për kriminalizim të parlamentit dhe qeverisjes, blerjen e votës dhe faktin që jemi vetëm një vit para zgjedhjeve. Edhe për vendimmarrjen, PD-ja thotë se u takon qytetarëve me referendum.

Deklarata e plotë

Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret.

Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut.

Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë” deklaron PD-ja.

Me qëndrimin e prerë të opozitës së drejtuar nga PD-ja, hapja e listave duket shumë e vështirë pavarësisht se Partia Socialiste pranoi që të diskutonte me opozitën parlamentare për këtë pikë në këmbim të votave për miratimin e reformës zgjedhore. Kreu i grupit të PS-së Taulant Balla i tha sot opozitës në Kuvend se “Ne jemi gati të u japim konsensusin për ndryshimet kushtetuese.

Leave A Reply

Your email address will not be published.