Kandidati i PS-së që fitoi zgjedhjet moniste në Vorë më 30 qershor, Agim Kajmaku i njohur dhe me emrin Jorgo Toto, rezulton se ka qenë në kërkim dhe proces gjykimi në Greqi. Akuzat e PD-së që janë bërë ndaj tij dy muaj më parë janë konfirmuar nga Gjykata e Janinës në shtetin helen. Në një vendim të marrë më datën 12 shtator 2019, gjykata greke ka rimarrë procesin e nisur në vitin 2003 ndaj Jorgo Totos alias Agim Kajmaku, i paditur për falsifikim parash. 16 vite pas arrestimit dhe arratisjes së Jorgo Totos, gjykata greke vlerëson se i pandehuri është i pafajshëm. Sipas gjykatës greke ai nuk ka pasur mundësi dhe mjete të falsifikojë paratë, por i ka përdorur pa qenë në dijeni që kanë qenë false. Vendimi i marrë 5 ditë më parë në Janinë, edhe pse jep pafajësinë, konfirmon gjithë akuzat që Partia Demokratike dhe opozita ka bërë në Tiranë ndaj të zgjedhurit të Edi Ramës. Vendimi i Janinës nuk ndryshon asgjë nga shkeljet ligjore për të cilat ai akuzohet në Tiranë. Akuza e PD-së nuk qenë nëse Kajmaku ishte fajtor apo jo, por nëse kryebashkiaku i Vorës ka fshehur dënimin apo arrestimin.
Nga gjyqi në Janinë kuptohet se ai ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit arrestimin dhe hetimin që i është bërë në Greqi në vitin 2003. PD në asnjë moment nuk e ka akuzuar atë për falsifikim parash. Nuk ka përjashtuar mundësinë që ndaj ti të ketë pasur një proces jo korrekt ligjor, siç ndodhë me shumë shqiptarë në emigrim, por shkelja që ka bërë Kajmaku është se nuk e ka deklaruar sipas ligjit problemin që ka pasur në Greqi. Kjo e bënë fajtor njëlloj si gjithë të tjerët që janë kapur nga ligji i dekriminalizimit. Nuk ka rëndësi vepra penale për të cilën je ndaluar apo ke qenë i dyshuar në një vend tjetër. Për ligjin e dekriminalizmit rëndësi ka që kandidati i cili zgjidhet nga qytetarët të tregojë të vërtetën për të kaluarën e tij. Nga ajo që doli dje nga Gjykata e Janinës Agim Kajmakut rezulton se ka mashtruar duke mos pasqyruar problemet që kishte me emrin Jorgo Toto në Greqi.
Vetëm ky fakt mjafton, në bazë të ligjit të dekriminalizimit, që Agim Kajmakut t’i hiqet e drejta e ushtrimit të detyrës dhe të nis procedimi penal për falsifikim të dokumenteve shtetërore. Mund të jetë e padrejtë, por ligji e thotë prerë se duhet të deklarosh çdo arrestim, dënim apo ndalim. Vendimi i Gjykatës së Janinës është një shuplakë e fortë për institucionet shqiptare dhe shtetin që kemi ndërtuar. Prokuroria shqiptare dhe institucionet e sigurisë që drejtohen nga Edi Rama, ende nuk u kanë sqaruar shqiptarëve asgjë në lidhje me Agim Kajmakun. Mjafton të kujtojmë se prokuroria akoma nuk ka gjetur adresën e Kajmakut në Vorë, për t’i marrë zyrtarisht shenjat e gishtërinjve. Ndërkohë në Greqi i bëhet gjyqi dhe e shpallën të pafajshëm, por duke ua lanë në derë autogolin institucioneve shqiptare, që ende nuk dinë se ku banon Agim Kajmaku. Vonesat e Prokurorisë kuptohet se nuk kanë qenë të rastësishme. Teksa në Tiranë prokurorët hallakateshin duke kërkuar letrat e denoncimit PD dhe nuk bënin asnjë veprim, dikush ka ndërhyrë në Greqi të mbyllej gjyqi i harruar prej 16 vitesh. Dhe Greqia e mbylli gjyqin duke e shpallur të pafajshëm, por sot pafajësia nuk i hyn në punë as Jorgo Totos (Agim Kajmakut) dhe as Edi Ramës. Kandidati i Ramës është i lirë të udhëtojë në Janinë me kë të dojë, por në Vorë nuk mund të shkojë më si kryebashkiak.
Fakti që gjykata e ka shpallur të pafajshëm, mund të jetë një arsye që Kajmaku dhe kryeministri Edi Rama të kërkojnë vijimin e detyrës, duke thënë se ja dolëm të pafajshëm. Ky është një qëndrim që do të testojë dhe njëherë seriozitetin e mazhorancës, por nuk ndryshon atë që ka ndodhur. Pas largimit të Valdrim Pjetrit për një dënim të marrë në Itali shumë vite më parë, Bashkia e Vorës është “kalaja” e dytë që Edi Rama humbet në pak muaj. Cilado qofshin arsyet, dy kryebashkiak të humbur në pak javë tregojnë se çështja e kriminalizimit është një problem serioz i qeverisë “Rama”.
Aq më tepër se PD-ja ka deklaruar se ka nën hetim edhe 7 kryebashkiakë të tjerë.
Mili Xhani
Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.