Papa Francesku, thirrje në Afrikë si të qe në Shqipëri

0 219

Kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, u ka bërë thirrje afrikanëve të rinj që të ndërtojnë një të ardhme të re pa rivalitete etnike dhe korrupsion, të cilat nxisin konflikte të përgjakshme në kontinent.

Papa iu drejtua 65,000 të rinjve në Stade des Martyrs në Kinshasa, në ditën e tretë të vizitës së tij në Republikën Demokratike të Kongos.

Ai u bëri thirrje atyre që të “bëjnë gjënë e duhur” dhe i paralajmëroi që të mos përsërisin gabimet e gjeneratave të mëparshme, transmeton Anadolia.

“Thuaj jo korrupsionit. Ndershmëria është kura për kancerin e korrupsionit. Nëse dikush ju ofron ryshfet, ose ju premton favore dhe shumë para, mos bini në grackë. Mos u mashtroni. Mos u tërhiq zvarrë në kënetën e së keqes”, theksoi Papa, mesazh që duket sikur t’a përcjellë në Shqipëri.

Ai i ftoi të rinjtë të punojnë për një të ardhme më të mirë, duke menduar shpesh për lutjen, komunitetin, ndershmërinë, faljen dhe shërbimin.

Duke iu referuar rivaliteteve etnike, të cilat nxitën konflikte dhe dhunë në pjesën lindore të Kongos, Papa paralajmëroi të rinjtë që “të ruhen nga tundimi për të drejtuar gishtin te dikush dhe për të refuzuar një person tjetër sepse ata janë të ndryshëm”.

Papa mbërriti në Kongo të martën, gjatë udhëtimit të tij të katërt në Afrikë.

Françesku është Papa i dytë që viziton vendin afrikan të shkatërruar nga konflikti që nga vizita e Gjon Palit II në 1985.

Sipas Kombeve të Bashkuara, vendet afrikane humbasin pothuajse 150 miliardë dollarë çdo vit për shkak të korrupsionit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.