Ortaku i Escobar dhe adhurues i Hitlerit, ekstradohet në Gjermani

0 369

Një prej bashkëthemeluesve të Kartelit famëkeq të Medelinit, bashkë me Pablo Escobar, është ekstraduar në Gjermani pasi kaloi 30 vite në burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Carlos Lehder Rivas, i cili ishte ndër të parët që trafikoi kokainë nga Kolumbia drejt Shteteve të Bashkuara në vitet 1970-1980, mbërriti në Frankfurt të martën dhe iu dorëzua autoriteteve gjermane, raporton “Der Spiegel”.

70-vjeçari ishte dënuar nga një Gjykatë amerikane me 134 vite burg në vitin 1987, por më vonë bashkëpunoi me autoritetet dhe kaloi në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Dhe duke qenë se është dënuar një herë në SHBA, nuk do të gjykohet më për të njëjtat krime në Gjermani. “Der Spiegel” shkruan gjithashtu se Lehder, i cili nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për Hitlerin, do të jetojë i ndihmuar nga një grup bamirësie në Gjemani.

I lindur në Armenia të Kolumbisë, nga një baba gjerman dhe një nënë kolumbiane në vitin 1949, Lehder kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtetin amerikano-jugor, para se të shkonte në Nju Jork në moshën 15-vjeçare kur prindërit e tij u ndanë. Sipas asaj që është raportuar në mediat kolumbiane, në SHBA ai u përfshi në botën e krimit, i dënuar për herë të parë në vitin 1973 për vjedhje makine. Në burg ai lidhi miqësi me trafikantin e drogës George Jung, të dy nisën rrjetin e trafikut të kokainës në SHBA.

Pasi u arratis për në Kolumbi, Lehder u bë pjesë e Kartelit të Medelinit dhe operacioneve të Escobar. Në vitin 1987 bosi i drogës e spiunoi tek autoritetet kolumbiane dhe ai u arrestua, për t’u ekstraduar më pas në SHBA.

Leave A Reply

Your email address will not be published.