Mero Baze: Basha korrekt dhe i përgjegjshëm, kurse Berisha kufomë politike!

414

Në këtë situatë tragjedie prej tërmetit duhet përbashkim, sikurse duhet që të gjithë të ndihmojmë në kalimin e kësaj fatkeqsie. Por Opozita, media, shoqëria civile duhet të kontrollojnë se si vepron qeveria, si dhe të vëzhgojnë çdo ndihmë si vjen e si ndahet. Të kërkojnë më pas ndëshkimin e përgjegjsve që kanë lejuar leje ndërtimi në kushtet të palejueshme. Dhe opozita sapo të stabilizohet paksa situata të kërkojë siç e ka në program largimin e kësaj qeverie, edhe për rastin e tërmetit. Jo se e ka fajin qeveria për tërmetin, por për mos pasjen e strukturës së emergjencës, për leje ndërtimi jashtë çdo kriteri teknik,etj.

Natyrisht që Lulzim Basha dhe opozita bëjnë mirë që kanë ulur tonet, por ajo që bën përshtypjet mbetet se mediat e qeverisë po miklojnë Lulzim Bashën si lider korrekt, i përgjegjshëm,etj ndërkohë që çfarë nuk kanë thënë e shkruar për të. Dhe si për ta bërë edhe më diversiv sulmin duke mbrojtur Bashën, po masakrojnë Sali Berishën.

Pra Lulzim Basha korrekt, kurse ish-kryeministri Berisha një kriminel!

Mjafton të lexosh shkrimin e Mero Bazes, njeri i afërt me kryeministrin Rama, dhe kupton lojën e tyre që po lezetojnë Lulzim Bashën që ta ofrojnë në marrëveshje të re me Edi Ramën, e tani në emër të tragjedisë.

Nga ana tjetër Sali Berishën e quan kufomë politike, që akoma nuk është varrosur! “Është e vetmja që qelb erë në çdo cep të Shqipërisë këto ditë, pasi është i vetmi i vdekur, i pavarrosur në këtë vend”- shkruan Baze.

Ja një pjesë e shkrimit të gazetarit të njohur Mero Baze:

Opozita zyrtare dhe kryetari i saj në të vërtetë po mbajnë qëndrim të përgjegjshëm dhe serioz. Por duket se ata po përballen me një përpjekje nga Sali Berisha, për të minuar përgjegjshmërinë.

Me një arsenal shpifjesh të qëllimshme, me një politikë të njohur të denigrimit personal të kundërshtarëve, me vetëdijen e ndyrë për të ngjallur mosbesim tek menaxhimi i krizës, me një arsenal shpifjesh që tentojnë të destabilizojnë situatën dhe të përhapin panik, dhe mbi të gjitha, me një fjalor të neveritshëm nekrofil, Sali Berisha dhe një bandë rrotull tij, janë sot ata që duhet të izolohen dhe të përballen me ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, para se të përballet ndonjë aktiviste patetike, apo një platformë e papërgjegjshme thashethemesh.

Sali Berisha po sillet si një hijenë që kërkon të ushqehet me trupat e të vdekurve nga tërmeti dhe me fatkeqësitë dhe lotët e banorëve të ngelur rrugës, me shpresën se hidhërimi  dhe mbjellja e zisë, do t’i hapë atij rrugën për në pushtet.

11 vite më pare, kur i biri i tij varrosi të gjallë 26 qytetarë, për të mbushur xhepat, opozita e atëhershme u tregua e përgjegjshme së paku sa u varrosën viktimat, duke i qëndruar në krah qeverisë në tejkalimin e situatës dhe pastaj i bënë gjyqin politik historisë korruptive të tërmetit të Gërdecit, pasi gjyqin juridik e kishte në dorë Sali Berisha.

Sot Shqipëria nuk është hedhur në erë nga djali i Edi Ramës, por nga një fatkeqësi natyrore. I vetmi objekt shtetëror që është prishur dhe ka vrarë një oficer policie, është “Kavalishenca” që ka ndërtuar Bujar Nishani si ministër i Brendshëm më 2008.

Dhe për ironi të fatit ai ka vrarë aty një komisar policie të emëruar prej tij. Të tjerat janë ndërtesa të vjetra e të reja, ndërtime të papërgjegjshme dhe informale, të cilat i kemi dhuratë nga tranzicioni shqiptar, ku Sali Berisha është monumenti i kësaj papërgjegjshmërie.

Nekrofilia politike e tij meriton të përballet me ligjin, ndërsa opozita duhet të zgjedhë, të jetë bashkëpunuese dhe të japë idetë e saj racionale në këtë situatë, apo të shpresojë se pushteti vjen nga lotët dhe gjaku i qytetarëve të tmerruar nga tërmeti.

Ajo është e lirë të zgjedhë, por është një mëkat i madh, që të ndëshkosh veten për të mos u bërë pjesë e dashurisë për qytetarët shqiptarë në këto momente, por të zgjedhësh të jesh pjesë e vrerit dhe nekrofilisë.

Shqipëria do ta kalojë këtë katastrofë. Njerëzit do ta harrojnë një ditë këtë fatkeqësi, por shteti nuk duhet ta harrojë kurrë për të nxjerrë mësime dhe për të krijuar një sistem të hekurt disiplinor për kontrollin e territorit dhe ndërtimet.

Nëse këtë gjë opozita do t’ia lërë në dorë vetëm Edi Ramës, thjesht do ta bëjë hero të shqiptarëve të thjeshtë Edi Ramën, pasi është i dënuar t’ia dalë.

Nëse opozita do të bëhet pjesë e këtij misioni historik, ka shanse ta konkurrojë Edi Ramën dhe ekipin e tij me idetë e saj dhe mirësinë që duhet të rrezatojë para shqiptarëve të traumatizuar.

Vreri i Sali Berishës, nuk është vetëm vrer politik. Ai është dhe vrer njerëzor, vrer i një njeriu të lig, i një vrasësi, që rrugën drejt pushtetit e ka parë gjithmonë si rrugë mbi kufoma, është vreri i një plaku të ligështuar, që i duket se Zoti nuk i ka lënë më kohë të vijë në pushtet dhe e do me atë me çdo çmim, qoftë dhe duke u sjellë si hijenë mbi trupat e shqyer të shqiptarëve mes rrënojave.

Ky tërmet është mirë t’i japë fund tranzicionit shqiptar dhe modelit të Sali Berishës. Përpara familjarëve të fisit Lala, Ndreu, apo Cara, Shqipëria duhet të varrosë kufomën politike të Sali Berishës.

Është e vetmja që qelb erë në çdo cep të Shqipërisë këto ditë, pasi është i vetmi i vdekur, i pavarrosur në këtë vend.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.