Me katër emra, arrestohet në Durrës 62-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar

0 118

Policia e Durrësit ka bërë të mundur arrestimin e një 62-vjeçari i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.

Njoftohet se i moshuari ishte dënuar në Itali me 17 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Bëhet fjalë për Mustafa Shullani, i cili kishte identitete të tjera si: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani.

Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.

Njoftim policie:

DVP Durrës/Finalizohet në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Koordinatat”.

I dënuar në Itali, me mbi 17 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 62-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për kapjen e personave të kërkuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinatat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit:

– Mustafa Shullani (me identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani), 62 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës.

Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali, e ka dënuar 62-vjeçarin, me 17 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga ligji penal italian. Me qëllim vuajtjen e periudhës prej 11 vjet e 4 muaj burgim, të mbetur nga dënimi total, kjo gjykatë apeli ka lëshuar për këtë shtetas, një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.