Mijëra maturantë kundërshtojnë provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Këtë të premte ata protestuan për disa orë para Ministrisë së Arsimit por në një dalje për mediat, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi, tha se testi nuk ka gabime.
Sipas saj, nuk ka asnjë pretendim konkret as nga nxënës, as nga mësues. ”Asnjë nga pyetjet e testit nuk është jashtë programit. Nuk ka rivlerësim, pasi testi nuk ka gabime shkencore. Testet kalojnë në dy duar për kontroll. Testi me alternativa për shkak të situatën nga Covid-19. Pyetjet me alternative nuk janë më të mirat. Mua s’më ka ardhur asnjë ankesë specifike për ndonjë pyetje. Pretendimet nuk qëndrojnë, nuk janë teste që hartohen brenda natës”.
Në postime të shumta që qarkulluan përgjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, maturantët shprehën pakënaqësitë e tyre rreth tezës së formuluar, të cilën e cilësuan të vështirë dhe me pyetje abstrakte apo që gjendeshin jashtë programit. Në protestë, maturantët kërkojnë mundësi për rivlerësimin e provimit, uljen e katofit (skemës së pikëve) të vlerësimit dhe mosvlerësim të pyetjeve jashtë programit.