Koncesioni për rrugën Thumanë-Kashar/ Banorët në protestë, kërkojnë ndihmë nga ambasada e SHBA

0 153

Banorët e Bërxullës që preken nga ndërtimet në aksin Thumanë-Kashar dolën dje në protestë para Ambasadës Amerikane, duke i kërkuar ndihmë për të përfaqësuar zërin e tyre në institucionet shqiptare.

Ata pretendojnë se firma që po kryen punimet nuk ka leje ndërtimi dhe as vendim shpronësimi për tokat e tyre që preken nga projekti. “Nuk gjendet asnjë e drejtë, asnjë marrëveshje, asnjë projekt që të na japë ne një rrugëzgjidhje. Pronat tona dalin pa vlerë, pa nënkalime e pa asnjë shpronësim. Do t’i zaptojnë pronat me forcë me polici si të munden, por ne jemi njerëz me familje, me blegtori, e nuk dimë ku do shkojmë. Po këtu do jetë një katastrofë e madhe që nuk dimë ca mund t’i bëjmë çdo njeriu që prek pronën tonë.

E presim ditaditës që ne të na jepet një vlerësim e rrugëzgjidhje në çdo cep të këtij projekti, i lutem ambasadës amerikane ta shqyrtojë në çdo dikaster që populli të mos jetë i dorëzuar e ne presim dita-ditës. Nuk kemi lënë asnjë institucion që të na afrojë një rrugëzgjidhje e ambasada është që i jep një të drejtë dhe një njeriu dhe ligjit dhe pronës. Ne kërkojmë që të dëgjohet zëri ynë, ndaj kemi ardhur këtu e asnjëherë nuk do dorëzohemi. Po do ta përshkallëzojmë qëndrimin, presim që të na jepet një rrugë zgjidhje”, tha një prej banoreve të Bërxullës që ishte dje në protestë.

LUTJA NDAJ AMBASADËS SË SHBA

Pasi kanë humbur shpresat nga drejtësia dhe institucionet vendase, ata i drejtohen ambasadës së vendit që njihet si kampion i demokracisë që t’i ndihmojë. “Ambasada amerikane të marrë të gjithë të drejtat e të na mbështesë në këtë protestë që të shohin të gjithë aktet e paligjshmërisë që janë bërë në këtë koncesion që ka nisur që në 2019, por u ndërpre nga tërmeti e shteti sot e ka lënë këtë projekt pa garë, pa gjë koncensionarit që të bëhen veprimet në kundërshtim me ligjin, ku s’ka as leje ndërtimi, as vendim shpronësimi.

Firma ‘Gener 2’ nuk ka aplikim në këtë institucion për leje ndërtimi, më kanë kthyer përgjigje dy institucione. Nuk e kuptoj ky shtet s’të lë të bësh asnjë riparim minimal në banesë pa marrë leje dhe lejon sot firmën që ndërton një rrugë nga Thumana deri në FushëPrezë pa leje ndërtimi pa vendime shpronësimi. Ne jemi autoktonë në ato prona, nuk mund të na trajtojë shteti mish për top sa herë t’i dojë qejfi, në ato prona do t’i mbrojmë me gjak.

Ambasadorja Yuri Kim ta shohë me detaje këtë punë, i japim dhe informacion të detajuar për këtë paligjshmëri. Ambasada amerikane duhet të ndërhyjë për paligjshmërinë që është bërë me këtë koncesion, të shpronësohen pronat, të legalizohen se kanë vënë shënim në Hipotekë, që nuk certifikohen as pronat, as banesat, e kanë 15 vjet që presin në zyra. Rruga nuk ka projekt përfundimtar, ku është projekti? Këtu është kush të mund të vjedhë sa më shumë. Këtu të ik truri se vlera e një m2 rrugë shkon në 63 milionë euro për 35 vjet. Do shkojmë dhe para Këshillit të Evropës të protestojmë atje. Ne nuk kemi mbyll akoma pasojat e tërmetit. Tani termet e bën shteti”, tha një tjetër prej banorëve që ishin në protestë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.