Islami: Rama më tradhëtari në historinë e Shqipërisë. S’ka mandat të tretë por opozita duhet…

0 402

Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami: Nuk ka negociata me Edi Ramën në krye të qeverisë ose ndryshe hiqni Ramën nga pushteti që të hapen negociatat me BE

Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, thotë se kryeministri Edi Rama, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për ndarjen e Kosovës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së thotë se kjo treshe kërkon ti vërë flakën Ballkanit dhe rajonit. “Të gjitha këto i artikuloi John Bolton, duke shtuar se ideja e coptimit të Kosovës nuk ka ardhur as nga Trump, as nga Shtëpia e Bardhë, as nga Uashingtoni dhe as nga SHBA-ja. Prandaj akuza ndaj Thaçit është edhe “akuzë” edhe për Ramën””. Nga ana tjetër, Islami thotë se nuk do të ketë një mandat të tretë për Ramën. Në fund e ka edhe një këshillë për opozitën. “Të qëndrojë e bashkuar, sepse e vetmja shpresë e Ramës për të cilën po shpnezon para e energjie të shumta është “të përçajë opozitën””.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK, Kadri Veseli janë paditur për krime gjatë luftës në Kosovë. Mendoni se kemi të bëjmë më një komplot kundër Kosovës apo padia ndaj individëve të veçantë nuk ndikon në negociatat me Serbinë dhe ecurinë e Kosovës? Nga ana tjetër, si e gjykoni qëndrimin personal të kryeministrit Edi Rama?

Rama është damkosur me plotësisht të drejtë nga shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës e kudo ku ndodhen si tradhëtar, si një sharlatan që e ka gjetur tradhëtinë si strehën e fundit të mashtrimeve e maskallarëqeve për të ruajtur edhe nga frika pushtetin e tij personal. Shqiptarët për këtë gjë duhet ta ndëshkojnë sepse të gjithçka tjetër, hajdutëria, lidhjet me kriminelët e trafikantët, pastrimi i parave të pista, varfërimi i shqiptarëve, detyrimi për tu larguar nga vendi, blerja e votës, rrënimi ekstrem i ekonomisë, e shumë e shumë zullume të tjera, janë shumë të rënda por përballë tradhëtisë për të ndarë Kosovën në shërbim të Serbisë së Madhe, vetëm e vetëm për të ruajtur e forcuar pushtetin personal, janë thjesht si ta ndëshkosh për “kafetë”.

Akuza është shumë e rëndë ndaj Presidentit të Kosovës, por ajo nuk shënjon as UÇK-në dhe luftën për liri e pavarësi të popullit të Kosovës kundër rregjimit barbar të Milloshevicit. Rama për këtë çështje ka pasur një standart të dyfishtë. Kur bëhej fjalë për Haradinajn, Rama do të pohonte se ai duhet të shkojë në Hagë e të mbrohet për të mos implikuar UÇK-në. Kurse tani që bëhet fjalë për Thaçin, ai me gjuhën e një “patrioti të rremë” tenton ti mbushë mendjen shqiptarëve se akuza ndaj Thaçit drejtohet kundër UÇK-së dhe luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi? Përse Rama e bënë këtë gjë tani? Sepse ka shumë frikë. Do të pyesni përsëri, nga çfarë ka frikë Rama dhe çlidhje ka me akuzën ndaj Thaçit? Rama me Thaçin janë bashkë me Vuçiç në çështjen e ndarjes së Kosovës. Pra në copëtimin e Kosovës në shërbim të krijimit të Serbisë së Madhe. Pra për ti vënë flakën Ballkanit dhe të gjithë rajonit. Për ti ngulur thikën pas shpine Europës e më konkretisht Gjermanisë.

Të gjitha këto i artikuloi John Bolton, duke shtuar se ideja e coptimit të Kosovës nuk ka ardhur as nga Trump, as nga Shtëpia e Bardhë, as nga Uashingtoni dhe as nga SHBA-ja. Prandaj akuza ndaj Thaçit është edhe “akuzë” edhe për Ramën. Ai e di shumë mirë këtë gjë ose të paktën e ndjen. Madje e ka shumë të qartë se ky është fundi i tij i tmerrshëm si tradhtar. Kjo duhet të jetë damka që duhet ti vendoset e të mbahet mënd nga të gjithë brezat për këtë individ pervers dhe narcist.

Prej disa javësh PD-ja ka nisur fushatën, ku kandidatët për deputetë do të përzgjidhen nga anëtarësia dhe në 4 faza. Nga ana tjetër, Basha flet për faktorin e ri por nuk ka mohuar as rikthimin e figurave të vjetra të politikës që ku të gjithë në PD, thonë se është shumë e rëndësishme. Keni marrë ju një ftesë për të qenë pjesë e ekipit për zgjedhjet e ardhshme?

Nëse këto që vendosni në gojën e Bashës janë të vërteta, atëherë gjithçka që ka deklaruar Basha jo vetëm që është në koherencë të plotë por madje koherenca është perfekte. Së pari është e rëndësishme të theksohet e përsëritet se forumi kryesor i PD-së, nën drejtimin e Bashës ka miratuar dokumentin e një gare të hapur e demokratike për përzgjedhjen e kandidaturave të PD-së për kandidatë për deputetë dhe për kryetarë bashkie, nën shëmbullin anglez.

Së dyti, kjo garë është e hapur për të gjithë, qofshin të rinj të cilët nëse e kam kuptuar drejtë do të kenë një kuotë ashtu si dhe gratë, ashtu për të gjithë figurat që eventualisht mund të jenë larguar apo vetëlarguar; pra është gara transparente dhe demokratike ajo që konsiderohet si mekanizmi i hapjes së derës për gjithkënd.

Për ti dhënë një përgjigje më konkrete pjesë së fundit të pyetjes suaj “të gjithë së bashku janë ftuar të garojnë”, kjo mua më mjafton edhe si ftesë “personale” qoftë në formë qoftë në përmbajtje. Do të dëshiroja shumë por edhe besoj e uroj që gara realisht të jetë demokratike, e lire dhe e ndershme.

Si e gjykoni që një nga 15 kushtet e BE-së që është Reforma Zgjedhore, nuk po ecën siç duhet. Mund të kemi një sabotim, pasi Edi Rama si me dinakëri nxori opozitën parlamentare sikur po kundërshton. Si e shihni edhe që PS-ja del kundër listave të hapura? Ka rrezik që zgjedhjet që janë vendosur në 15 prill-15 maj 2021, të shtyhen?

15 kushtet janë një mesazh i qartë për shqiptarët. Nuk ka negociata me Ramën në krye të qeverisë ose ndryshe hiqni Ramën nga pushteti që të hapen negociatat me BE. Europianët e kanë të qartë se Rama nuk i plotëson të 15 kushtet se është kundër hapjes së negociatave. E kanë kuptuar shumë mirë se Rama ka frikë nga hapja e negociatave. E dinë shumë mirë se Rama i konsideron 15 kushtet si një “darë” të fortë që e pengon të vjedhë pasurinë, pronat e buxhetin për të rritur pasurinë personale, të vjedhë votat për të ruajtur pushtetin, të lidhet me kriminelët e trafikantët për të kërcënuar votuesit e qytetarët, të varfërojë qytetarët që të boshatisë vendin dhe ti detyrojë ata të emigrojnë e tjerë e tjerë. Mbi të gjitha 15 kushtet e pengojnë Ramën të coptojë tinëzisht Kosovën për të hedhur në erë Ballkanin dhe për ti futur thikën pas shpine Europës. Veçanërisht Rama e di shumë mirë se gjermanët i njohin “dhëmbë e dhëmballë” Ramës, sepse zotërojnë por edhe po grumbëllojnë të gjitha informacionet për zullumet e bëmat e tij.

Që këto 15 kushte apo kjo “darë” të mos konsiderohet thjesht gjermane, këtë vendim e ka marrë si asnjëherë më parë Parlamenti Europian. Po ashtu siç ndodhi me vendimin e paprecedentë për ta shpallur maxhorancën e Ramës apo disa nga kryetarët e bashkive, “maxhorancë të kriminalizuar” apo “kryetarë banditë e mafiozë” thënë ndryshe,  të mbushur me individë me rekorde të tmerrshme kriminale. Rama nuk ka këllqe dhe as prapanicë të mos miratojë “marrëveshjen” e 5 qershorit të ngjizur në rezidencën e ambasadores amerikane dhe në prezencë të ambasadorit të Komisionit Europian dhe të firmosur unanimisht dhe për më tepër të mbështetur nga SHBA e BE në nivelin e tyre më të lartë. Personalisht do të dëshiroja që “dredharaku e tinzari” Rama të shkonte në drejtimin e merituar por më duket sesi “ceco, pa mundur të heqë apo shtojë diçka, do të miratojë gjithçka siç është vendosur më 5 qershor”.

Për datën e zgjedhjeve Rama nuk ka asgjë në dorë. E vetmja gjë e sigurtë në këto momente është se “nuk ka mandat të tretë për Ramën”, sado të përpiqen mbështetësit e tij agresivë apo ata të maskuar e të heshtur të promovojnë të kundërtën, madje edhe kur dikush deklaron se “unë jam kundër Ramës por nuk i dihet mandatit të tretë se ketë e vendos populli”. A e dini përse e them këtë “populli e kishte vendosur që në vitin 2017 largimin e Ramës, por vota u ble dhe votuesit u kërcënuan, kurse këtë radhë, jo vetëm që këto të dy dukuri nuk do të mund të ndodhin por edhe nëse ndodhin ato nuk do të mjaftojnë për të ndryshuar vullnetin e shqiptarëve”.

Disa kohë më parë, Ju jeni shprehur se: Rama po negocion “jetën e tij të tretë”. Mandati i Edi Ramës si kryeministër po vjen drejt fundit. Si e keni parë përgjatë këtyre viteve qeverisjen?

Së pari, Rama është kryeministri me mediokër në historinë e Shqipërisë dhe ky është një turp për të gjithë politikanë në rradhë të parë por edhe edhe për të gjithë shqiptarët sepse “demokraci do të thotë qeverisje nga populli”.

Së dyti, është kryeministri më gënjështar e mashtrues në 100 vitet e fundit dhe këtë ai e konsideron veti pozitive të cilës ja dedikon edhe suksesin.

Së treti është Kryeministri më hajdut që zyra e OSBE në Tiranë e ka stigmatizuar pa u ulur në kolltukun e Kryeministrit të vëndit si “zotërues i 200 milion euro të paligjshme, të fshehura në llogari off shore në emër të të vëllait”.

Së katërti, si Kryeministri që është cilësuar nga OSBE/ODHIR  se ka “blerë votat” me paratë e korrupsionit e të drogës dhe “ka kërcënuar votuesit” me kriminelët e trafikantët me të cilët ndan pushtetin.

Së pesti si Kryeministri hajdut i pasurisë kombëtare, pronave private e publike dhe i buxheti të shtetit, që varfëroi të gjithë shiptarët dhe detyroi të rinjtë dhe të trurin të emigronin si asnjëherë më parë në historinë mijëvjeçare të kombit tonë, madje në të njëjtat nivel si përgjatë pushtimeve armike. Si kryeministri që u tall, i ofendoi dhe i shau shqiptarët si askush tjetër më parë duke i nënshtruar me varfëri dhe duke i mbyllur gojën me shkopinj dhe geza helmues të policisë.

Kryesorja e mbi të gjitha si Kryeministri tradhëtar që tentoi të coptonte Kosovën dhe të cenonte integritetin e sovranitetin e saj, ti mbyllte rrugën europiane Shqipërisë, ti vinte flakën Ballkanit dhe ti ngulte thikën pas shpine partnerëve kryesorë strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe BE.

Përse opozita nuk vijoi si më parë me strategjinë e saj në rrugën e protestave ?

Opozita kishte tre mundësi për të vepruar dhe larguar një qeverisje hajdute, autoritare e kriminale. 1-Të ndiqte këtë rrugë që po vijon tani e mbështetur fuqimisht e qartësisht edhe nga ndërkombëtarët, të cilët u ndërgjësuan më së fundmi për bëmat e Ramës por edhe sepse Rama ju nguli thikën pas shpine e nuk mund ti mashtronte me gënjeshtrat e tij përmes “flekenshtejnëve dhe vallahutinëve të komprometuar”. 2-Të vazhdonte rrugën e nisur me mbështetjen modeste të ndërkombëtarëve, të pastër e të ndershëm derisa ata të kishin të gjithë pamjen e plotë për qeverisjen e oligarikike të Ramës. 3-Ta linte në dorë të  ndërkombëtarëve largimin e “diktatorit”.

Dhe çfarë duhet të bëjë e mund të bënte më mirë opozita për të ardhur në pushtet? 

Opozita në këto vitet e fundit ka bërë shumë, madje shumë më tepër se ç’i takon një opozite politike. Një opozitë politike nuk mund të përballet “ushtarikisht e luftarikisht” me një qeverisje hajdute që vjedh pasurinë kombëtare, të lidhur ngushtësisht me kriminelët e trafikantët, autoritare e policore që godet me shkop dhe gaz helmues qytetarët e saj dhe që godet fizikisht deputetët opozitarë e përdor paratë e pista për të komprometuar disa ndërkombëtarë, apo që përdor median e paguar me paratë e pista të korrupsionit e të drogës të sulmojë, shajë e ofendojë  kundërshtarët politikë dhe të futen në rrjtet sociale sikur të ishte ushtria oruelliane e revolucionit kulturor.

Si një forcë politike alternative, opozita e një vendi të varfër si Shqipëria dhe me një kulturë demokratike të re mund të thuhet që në rrethanat e vështira një rregjimi të pakicës oligarkike për të mos thënë diktatoriale ka bërë më shumë se çmund të bëjë një opozitë politike në një vend realisht demokratik e të lirë. Ka reaguar mjaftueshmërisht ndaj çdo të keqje. Ka ndërtuar alternativën qeverisëse. Sigurisht siç thuhet gjithnjë, mund të bënte edhe më shumë, disa gjëra mund ti bënte edhe ndryshe. Mund të organizohej edhe më mirë, mund të mos kishte pranuar në rradhët e saj shumë sharlatanë që po ja nxijnë faqen si “opozita fake”, të cilën realisht e ka bërë të tillë Edi Rama.

Sipas sondazheve “nuk ka mandat të tretë për Ramën” dhe unë gjykoj se nëse zgjedhjet do të ishin të lira e të ndershme, humbja e Rilindjes do të ishte katastrofike. Populli e ka realizuar rotacionin. Opozita të bëjë vetëm diçka të vogël. Të qëndrojë e bashkuar, sepse e vetmja shpresë e Ramës për të cilën po shpnezon para e energjie të shumta është “të përçajë opozitën”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.