Imunologu: Jemi ende larg, veç 3% e popullatës ka krijuar imunitet ndaj Covid-19

0 363

Me ardhjen e verës, Covid-19 do të largohet dhe nuk pritet të rikthehet të paktën deri në nëntor-dhjetor, kur nis sezoni i gripit. Kështu shprehet Genc Sulçebe, imunolog. Sipas tij mund të themi që Shqipëria e ka kaluar këtë virus dhe parashikimet janë mjaft optimiste. ”Edhe parashikimet më optimiste nuk do të jepnin këto shifra. I ka ngjarë një epidemie të zakonshme gripi. Ka një vdekshmëri 1 për 1 mijë, dhe vdekshmëria është më e vogël se e një gripi të zakonshëm”, tha Sulçebe duke folur për ”Ilva Now”.

Prekjen e Shqipërisë në këto nivele, ai e shpjegon me një sërë faktorësh. “Janë shumë faktorë, por më i rëndësishmi ishin masat e ndalimit të qarkullimit dhe kontaktit, pasi u pengua qarkullimi i virusit. Ka të bëjë klima, ka të bëjë konstruksioni imunitar dhe gjenetik i popullatës. Kemi Greqinë dhe Bullgarinë që janë në kontrast me vendet e tjera perëndimore të Evropës”.

Nga ana tjetër, doktori thotë se nuk do të ketë të papritura në të ardhmen me lehtësimin e masave, duke shtuar se do të duhen të kalojë një muaj pa raste të reja për të konfirmuar zhdukjen e coronavirus. Por, nga ana tjetër, z. Sulçebe nënvizon se jemi ende larg krijimit të imunitetit të popullatës.

”Jemi ende larg asaj për qindjes së popullatës që ka krijuar imunitet. Në vendin tonë, kjo shifër nuk mund të jetë më tepër se 3%. Virusi do të jetë në qarkullim për një kohë të gjatë deri sa të krijohet një përqindje prej 50% e popullatës me imunitet”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.