Idiotët e Rilindjes

490

Skandali i Rilindjes me mosnjohjen e dekretit të Presidentit për shtyrjen e 30 qershorit u duk se ishte çmenduria më e madhe që mund të bënte një mazhorancë qeverisëse. Por budallallëku dhe çmenduria nuk kanë fund e këtë rilindasit po e tregojnë përditë me vendimet që marrin.

Dje, numri dy i PS-së, Taulant Balla doli para mediave dhe lexoi një deklaratë të gjatë për mediat. Thelbi i deklaratës 10 faqëshe ishte se PS, qeveria dhe Kuvendi nuk njohin Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por Arta Vorpsin e betuar te noterja! Pra, Kuvendi institucioni që miraton ligjet nuk njeh aktet e Gjykatës Kushtetuese, dekretin e Presidentit dhe betimin si proces kushtetues, por njeh vetëm noteren me zyrë te bregu i Lanës.

Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë juridik në një vend që gjykon pushtetet, qeverinë, Presidentin dhe çdo institucion të zgjedhur apo të emëruar. Kjo gjykatë e kanë njohur dekretin e Presidentit dhe betimin që Xhaferllari bëri si anëtare e saj. Ligjërisht nuk ka më as ngërç, pasi Kushtetuta është respektuar dhe aktet e kreut të shtetit as që duhet të debatohen në këtë rast. Por socialistët e kthejnë përmbys piramidën ligjore të shtetit dhe anashkalojnë organin më të rëndësishëm të drejtësisë duke njohur vetëm aktin noterial! Arta Vorpsi, kandidatja për Gjykatën Kushtetuese nuk u votua në Kuvend, nuk u zgjodh nga Presidenti dhe nuk u dekretua. Emri i saj është vetëm në listën e kreut të KED, Ardian Dvoranit që sigurisht te noterja që ka marrë pagesën, sipas ligjit, për të bërë punën e saj. Por aktet noteriale janë për marrëdhëniet private të qytetarëve dhe biznesit, jo për marrëdhëniet mes shtetit dhe institucioneve. Aq më pak për marrëdhëniet mes institucioneve më të rëndësishme si Parlamenti, Presidenti dhe Gjykata Kushtetuese. Duke u bazuar në logjikën idiote që noterja është më e rëndësishme se gjithë të tjerët, PS e ka çuar këtë interpretim në komisionin hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit. Bashkë me qëndrimin e PS për 30 qershorin, komisionit që mbron zgjedhjet moniste do t’i shtohet dhe çështja e Gjykatës Kushtetuese. Shpjegimet e PS për këtë qëndrim nuk janë thjesht qesharake, por të rrezikshme për themelet e shtetit. Sepse me këtë akt, kushdo që paguan 5 mijë lekë të noteri, firmos deklaratën që dëshiron dhe nëse ka muhabet me Ballën, Ulsi Manjën e tej mund të zgjidhet në çdo gjykatë të vendit. Nuk është çudi të bëhet edhe ministër! Ndaj dërgimi i këtij akti të komisioni hetimor nuk është më humor, por akt i rrezikshëm që degradon shtetin.

Komisioni i Venecias që trajtoi çështjen e dekretit të 30 qershorit arriti në përfundimin se Presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet. Madje, duke njohur situatën politike në Shqipëri tha se një akt shkarkimi do të agravonte situatën dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Opinioni i Venecias rrëzoi gjithë propagandën e qeverisë dhe i dha të drejtë Presidentit. Pas dështimit me variantin e parë, PS tenton që të shtojë akuzat ndaj kreut të shtetit duke futur edhe çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Këtu nuk kemi të bëjmë më me interpretime ligjore, por me puç kushtetues.

Gjykata Kushtetuese e ka bërë procesin e saj duke njohur sipas ligjit Marsida Xhaferrllarin. Edhe me skandaloz është qëndrimi i djeshëm i Taulant Ballës kur u pyet se Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar asnjë akt jo ligjor të dekreti i Presidentit. Sipas tij, institucionet dhe kjo gjykatë “duhet të lexojnë rezolutën e Kuvendit kundër Presidentit”. Rezolutat e Kuvendit, edhe kur ai ka 140 deputetë dhe është i ligjshëm, janë qëndrime politike pa asnjë efekt detyrues ligjor. Gjë që do të thotë se as qeveria vetë dhe administrata e Kuvendit nuk ka detyrim të zbatojë rezolutat. Ndërkohë PS kërkon atë që nuk do guxonte ta bënte asnjë idiot politik, që Gjykata Kushtetuese të zbatojë rezolutën anti-president të Kuvendit. Në këtë mënyrë, nga drejtësi e pavarur që kërkohet kalojmë direkt në gjykata dhe institucione që funksionojnë me urdhër partie. Në gjithë vendimmarrjen e kreut të shtetit nuk ka akt më të pastër ligjor dhe kushtetues sesa ai i zgjedhjes së anëtares së Gjykatës Kushtetuese.

Nëse Parlamenti vijon me këtë qëndrim skandaloz ndaj Kushtetutës dhe presidentit, ky nuk është më qëndrim politik, por grusht shteti.

Mili Xhani

 

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.