Haxhinasto: Rama doli kundër Kartës Europiane, ka pasoja serioze

0 315

Ish-ministri i Transporteve dhe ish-deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto, e quan kontradiktore që shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore shoqërohet me lehtësim të masave. Për ndryshimet në Kodin Penal, ish-deputeti i LSI-së, pohon se “Nuk besoj se ka më shumë efekt përqasja se po dole nga shtëpia do ndeshesh me policinë, do përfundosh në burg apo do ndeshesh me vargun e makinave patrulluese të ushtrisë”. Thirrjet e kreut të qeverisë për burg dhe luftë, Haxhinastro kujton paralajmërimin e Komisionit të Venecias se autoritarizmi dhe shkelja e të drejtave lulëzon në kohë situatash të jashtëzakonshme. Ndaj dhe thotë se duhet një mekanizëm që realizon mbikëqyrjen e situatës. Për situatën në Kosovë, si ish-ministër i Jashtëm, ai këshillon që forcat politike të kenë maturinë të krijojnë sa më parë kohezionin e nevojshëm të qëndrimeve dhe të vendosin interesat kombëtare mbi ato të partive apo egove personale.

Komisioni i Ligjeve miratoi zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor 2020. Ndërsa pas më shumë se 40 ditë, vendi del nga karatina por jo nga shtetrrethimi. Një sërë biznesesh u hapën të hënën por qeveria forcoi Kodin Penal që çon në burg shkelësit e rregullave. Si i shikoni këto masa lehtësime të qeverisë, është sinjal që Shqipëria e ka fituar betejën me Covid-19 dhe janë të nevojshme kaq masa drastike?

Për shtyrjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore kemi qartazi një shkelje të Nenit 174 të Kushtetutës, që shprehet qartë “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit”. Është momenti që Parlamenti ta riparojë këtë gabim të qeverisë. Qëndrimi për këtë çështje tashmë është shprehur qartë nga LSI. Duket kontradiktore që shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore shoqërohet me lehtësim të masave kundra pandemisë. Për veprimet e qeverisë në këtë periudhë ka paqartësi të mëdha e kaos si për qëllimet ashtu edhe për efektet e ndërhyrjeve konkrete të saj.

Kësaj situate, ashtu si edhe masave për fatkeqësinë tjetër të tërmetit të nëntorit të kaluar, i ka munguar si transparenca, ashtu edhe monitorimi i domosdoshëm. Sot do isha shumë i lumtur ta konfirmoja me forcë që Shqipëria e ka fituar betejën me pandeminë, por jemi akoma në betejë dhe është shpejt për të dalë në një konkluzion të tillë. Aq më pak mund të thuhet që në pak ditë do t’i kthehemi normalitetit, pasi ende kemi përpara shumë të panjohura. Akoma nuk ka një informacion të besueshëm nëse dhe kur e arritëm kulmin e kurbës së infektimit. Uroj të jemi në fundin e kurbës por shikoj se ajo ka faktikisht shumë amplituda ulje ngritje. Nuk shoh të bëhen testet në masën e nevojshme për të skanuar gjendjen reale të pandemisë, një gjë e domosdoshme dhe e zbatuar nga gjithë vendet që kanë patur sukses në përballimin e pandemisë.

Përsa i përket masave ndëshkuese dhe ndryshimeve në Kodin Penal, mendoj se nuk është mesazhi që i duhet sot qytetarëve. Ai thjesht i shton një traumë tjetër mbi atë që jep pandemia. Mesazhi për të respektuar rregullat e distancimit social, apo detyrimet e tjera, do ishte më i efekteshëm nëse do të paraqitej si pjesë e detyrimit dhe kontributit të gjithësecilit për të ruajtur dhe shpëtuar jetë, pasi përballimi i një pandemie është një çështje e veprimit kolektiv të shoqërisë, që kërkon mirëkuptimi dhe bashkëpunim të qytetarëve. Nuk besoj se ka më shumë efekt përqasja se po dole nga shtëpia do ndeshesh me policinë, do përfundosh në burg apo do ndeshesh me vargun e makinave patrulluese të ushtrisë.

Kryeministri Edi Rama flet për luftë, ushtri dhe humbje jetësh imagjinare. Këto ditë kemi parë sesi po protestohet në vende demokratike duke zbatuar edhe distancën fizike. Etiketimet për kreun e qeverisë si diktator nuk kanë munguar këto kohë. Çfarë rreziku paraqet për demokracinë shqiptare kjo qeveri? Nga ana tjetër, shumë qytetarë pyesin se çfarë mund apo duhet bërë në këto kushte?

Në periudha të tilla të jashtëzakonshme si kjo e pandemisë, secili duhet të përmbahet, të jetë racional, të vendosë veten në funksion të daljes nga situata e rëndë, e jo të përfitojë politikisht. Strategjia e zgjedhur nga qeveria ka qenë të përdorë frikën, hiperbolën e ekzagjerimin në funksion të bindjes civile, e më pas për të thënë: Shikoni sa shumë mund të kishin vdekur! Ja sa të aftë u treguam! Risku i abuzimeve në këtë situatë është shumë i lartë. Shumë e rëndësishme që çdo veprim të jetë i bazuar tek Kushtetuta e tek Ligji. Çdo tejkalim i tyre është një goditje e shtetit të së drejtës në thelbin e tij. Është shumë e rëndësishme ti referohemi rekomendimeve të Komisionit të Venecias që ka përgjithësuar praktikat më të mira ligjore në kohë situatash të jashtëzakonshme, që bën thirrje për evitimin e çdo situate mbi-ligjore, si tundim për të kontrolluar apo menaxhuar situatën. Autoritarizmi dhe shkelja e të drejtave lulëzon në kohë situatash të jashtëzakonshme, paralajmëron Venecia.

Tërheqja nga detyrimet e aderimit në Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mendoj se ishte e panevojshme. Po sipas Venecias, “devijimet nga të drejtat themelore të njeriut janë një problem veçanërisht thelbësor pasi përvoja ka treguar që shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut kanë tendencë të ndodhin në kontekst të gjendjeve të jashtëzakonshme”. Këto janë veprime me pasoja serioze dhe nuk mund të bëhen në mungesë të plotë transparence për qëllimet dhe efektet. Sigurimi i shtetit dhe siguria publike mund të sigurohet në mënyrë efektive vetëm në një demokraci e cila respekton plotësisht Sundimin e Ligjit.

Duhet patjetër një mekanizëm që realizon mbikëqyrjen e situatës. Normalisht kjo duhet të ndodhë në nivelin parlamentar dhe të gjyqësorit. Parlamenti është monist dhe gjyqësori akoma nuk ka treguar që reforma ka dhënë frytet e saj. Një komision gjithpërfshirës, bipartisan, mund të ishte një zgjidhje e besuesshme për të monitoruar e mbikëqyrur mbarëvajtjen e menaxhimit të situatës nga qeveria.

Në mesin e pandemisë, nga Europa erdhi pak ditë më parë një lajm i mirë. Vendi siguroi pak javë më parë hapjen e negociatave, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipërisë ju vendosën një sërë kushtesh nga Brukseli. Pse ndodhi kjo sipas jush?

Nuk mundet që BE-ja, veçanërisht disa nga vendet kryesore anëtare si Gjermania dhe Franca, të injorojnë ato problematika të mëdha që ka Shqipëria, që kanë kohë që janë renditur në kushtet e Bundestagut, e tani në kushtet e shtuara të Këshillit Europian për fillimin e negociatave. Nuk mundet që BE-ja të jetë e gatshme të importojë brenda Unionit këto problematika, që kanë të bëjnë me themelet mbi të cilat ajo është ngritur; probleme themelore me sistemin demokratik, zgjedhjet e lira e të ndershme, para së gjithash, pastaj me sistemin gjyqësor, tërësinë dhe funksionimin e tij, apo me kriteret e tjera të ekonomisë së tregut dhe të të drejtave njerëzore. Është për të ardhur keq që Integrimi në BE vijon të konceptohet nga kjo mazhorancë si një ushtrim perceptimi apo i marrëdhënieve me publikun dhe jo si një bindje që pa arritur standartet e duhura, nuk mund të ketë Integrim të plotë në BE. Nuk duhet të ketë njeri iluzion që vendimi për hapjen e negociatave, më shumë se njohje e vlerësim i progresit të vendit, është një nxitje për të mbajtur gjallë entuziazmin e zgjerimit të BE dhe reformat e domosdoshme, veçanërisht në këto momente të zymta të pandemisë. Secili të kuptojë me realizëm punën dhe detyrimin e jashtëzakonshëm për plotesimin e kushteve të vendosura përpara nesh deri në marrjen e një date për fillimin e negociatave.

Si i keni parë zhvillimet politike në Kosovë. Albin Kurti fitoi pas shumë viteve në opozitë të fortë, zgjedhjet por LDK-ja e rrëzoi me mocion në Kuvend. Si ish-ministër i Jashtëm, çfarë ndikimi nga në fushën ndërkombëtare ky ndërç themelor për ecurinë e Kosovës? Duhet vendi të shkojë në zgjedhje siç kërkon Kurti?

I shoh zhvillimet në Kosovë me shumë shqetësim. Së pari sepse edhe atje, qeveria kujdestare përballet me pandeminë. Më shumë më shqetësojnë zhvillimet në raportet e Kosovës me faktorët kryesor ndërkombëtare, SHBA-ja dhe BE-ja. Vërej një përçarje të forcave kryesore politike për çështje madhore në axhendën ndërkombëtare të Kosovës. Shpesh më duket se kjo axhendë vjen e dyta nga rëndësia, pas interesave partiake apo edhe individuale të liderëve politike atje. Kjo është tepër e rëndë. Mungesa e kohëzionit në qëndrime të tilla të rëndësisë kombëtare nga ana e drejtuesve politikë në Kosovë, sjell pastaj hapësirën për deklarime apo qëndrime ambivalente nga përfaqësues të lartë ndërkombëtare, veçanërisht amerikane, siç ishin ato për ndërprerjen e ndihmave apo prezencës ushtarake në Kosovë. Siç sjell edhe pritshmëritë e ndonjë komisioneri Evropian, që procesi i bisedimeve të Kosovës me Serbinë, të mos përjashtojë edhe çështjen e statusit të Kosovës.

Unë uroj që kohezioni i faktorit politik shqiptar në Kosovë, do t’i evitojë këto anomali dhe në qëndrimet ndaj Kosovës të prevalojnë apo parime tradicionale uillsoniane që kanë udhëhequr politikën e jashtme amerikane këto 100 vitet e fundit, politikën e forcës së morali por edhe përdorimin e forcës për të ruajtur moralin, e që çuan në çlirimin dhe pavarësimin e saj. Zgjidhjet “quick fix”, në funksion të balancave të influencave në një sistem më të gjerë interesash dhe përballjesh globale, nuk kanë treguar se i rezistojnë zgjidhjeve afatgjata dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes shteteve, veçanërisht në Ballkan.

Kohezioni i qëndrimeve dhe stabiliteti politik në Kosovë janë të domosdoshëm që edhe politika e BE-së ndaj saj, të reflektojë jo interesat specifike të ndonjë vendi anëtar por gjithë setin e vlerave Evropiane që qëndrojnë në themel të projektit të BE-së. Sot Evropa është pak e trullosur nga pandemia si dhe disi e zhgënjyer nga paaftësia për të vepruar si Union me solidaritet ndaj vendeve që morën goditjen më të madhe nga pandemia (si Italia), saqë e detyroi edhe Francën që me gojën e Makron të thotë se “Jemi në momentin e së vërtetës, kur duhet të kuptojmë nëse BE është një projekt politik apo vetëm një projekt vetem i tregut. Me një Kosovë stabile dhe qëndrime të unifikuara, BE-së do t’i duhet të qartësojë përqasjen se çështja e Serbisë dhe Kosovës, nuk është çështje e njohjes së pavarësisë së saj. Forcat politike në Kosovë do kenë maturinë të krijojnë sa më parë kohezionin e nevojshëm të qëndrimeve dhe të vendosin interesat kombëtare mbi ato të partive apo egove personale, në këtë moment tepër delikat të politikës ndërkombëtare. Me një përqasje të tillë, nuk e shoh të pamundur që të rikthehet stabiliteti politik në Prishtinë.

Intervistoi: Redjon Shtylla/ Koha Jonë/

Leave A Reply

Your email address will not be published.