Goditet banda e hajdutëve, vetëm gjatë janarit kryen tetë “aksione” vjedhjeje

0 124

Policia e Vlorës, pas një hetimi disajavor, ka zhvilluar operacionin e koduar “Storm”, pasi ka zbardhur dhe dokumentuar 8 raste të vjedhjes së shumave të ndryshme të parave dhe sendeve me vlerë, të ndodhura gjatë muajit janar.

Gjatë operacionit u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar, teksa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, të tre të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, vunë në pranga shtetasit:

– E. M., 37 vjeç dhe M. L., 34 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi A. R., 33 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, gjithashtu i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Nag veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të disa ngjarjeve në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, të ndodhura gjatë muajit janar 2023, konkretisht:

– Më datë 01.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. B;

– Më datë 15.01.2023, në lagjen “Pavarësia”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. C., disa pajisje elektroshtëpiake;

– Më datë 19.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit E. B., një televizor;

– Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. D., produkte të ndryshme ushqimore;

– Po më datë 19.01.2023, në lagjen “Partizani”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit Xh. Z., steka me cigare dhe një shumë parash;

– Më datë 22.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit H. A., një shumë parash dhe bizhuteri;

– Po më datë 22.01.2023, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se kanë vjedhur një biçikletë;

– Më datë 23.01.2023, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit F. H., steka me cigare dhe një shumë parash.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa pajisje që dyshohet se këta shtetas i kanë vjedhur më parë.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas, si dhe për kapjen e shtetasit A. R.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.