Gjashtë mënyra të pazakonta për të çliruar kreativitetin tuaj

0 1,596

Pavarësisht nëse kreativiteti është pjesë e punës apo një hobi, të gjithë mund të bllokohemi ndonjëherë. Dhe kur shteron “pusi i frymëzimit”, është koha për të pasur një qasje më kreative ndaj krijimtarisë…

Kërkoni ngjyrën blu

Sipas psikologjisë së ngjyrave, bluja mund të stimulojë të menduarit krijues, duke na inkurajuar të provojmë gjëra të reja, në një kohë që ajo ka një efekt qetësues. Ndaj herës tjetër që keni nevojë për një nxitje krijuese, rrethojeni veten me këtë ngjyrë. Ose dilni jashtë dhe shijoni qiellin blu, vizitoni bregdetin për t’u mrekulluar me pamjen e detit, ose thjesht shtonimë shumë ngjyrë blu në mjedisin tuaj në zyrë dhe shtëpi. Madje mund të provoni të vishni më shumë rroba ngjyrë blu dhe të shihni vetë se si do të ndiheni.

Lexoni/shikoni/dëgjoni gjëra që janë jashtë shijeve tuaja normale

A keni tendencën që t’i përmbaheni të njëjtave zhanre kur lexoni libra, shihni TV ose dëgjoni muzikë? Ushqejeni kuriozitetin tuaj duke eksploruar zhanre që nuk do t’i provonit zakonisht. A ju pëlqen një roman romantik? Po pse të mos provosh një libër fanta-shkencë? Je një adhurues i madh i muzikës rok? Ok, por provoni të zhyteni për pak kohë në botën e muzikës RnB.

Silluni shpeshherë si “fëmija” që ndodhet brenda jush

Fëmijët janë natyrshëm krijues, ndaj nga kush mund të frymëzoheni më mirë sesa ata? Fshijeni pluhurin nga biçikleta juaj dhe bëni një shëtitje ose ndërtoni një shtëpi prej letre. Të gjitha këto ndihmojnë për të frenuar mendimet e tepruara, dhe ju inkurajojnë ta përjetoni botën në një mënyrë më shumë si një fëmijë dhe si një njeri kureshtar për botën.

Kaloni më shumë kohë me njerëz krijues

Tipat e njerëzve me të cilët kalojmë kohë çdo ditë mund të ndikojnë në botëkuptimin tonë. Prandaj nëse doni të jeni më kreativë, përpiquni të kaloni më shumë kohë me kolegët krijues. Ky mund të jetë takim personal apo një bisedë online.

Bëni disa pauza të heshtura

Bota mund të jetë ndonjëherë një vend i zhurmshëm, dhe kjo mund të ndikojë negativisht tek të menduarit tonë. Prandaj përpiquni që të bëni disa pauza të heshtura gjatë ditës tuaj, ku nuk ka muzikë apo lundrim në internet. Lejoni vetes çdo ditë që të uleni diku dhe të qëndroni në heshtje për disa minuta për t’i dhënë hapësirë mendimeve tuaja.

Mbani një ditar mbi ëndrrat që shihni gjatë gjumit

Ëndrrat tona në gjumë janë shpeshherë të çuditshme, dhe na duken si pa kuptim në pjesën dërrmuese të rasteve. Por ato mund të jenë edhe një burim frymëzimi. Ndaj mbani gjithmonë një bllok shënimesh dhe stilolaps pranë shtratit, dhe hapeni sapo zgjoheni për të përshkruar ëndrrën që patë. Çelësi në këtë rast është shpejtësia. Sepse të përpiqesh të kujtosh një ëndërr, është njëlloj si të përpiqesh të mbushësh ujë me një rrjetë! Më vonë mund të ktheni kokën prapa dhe të kënaqeni me absurdin. / bota.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.